Bllokada buxhetore nga Ministria e Financave, reagon Komuna e Prishtinës: Është jonjerëzore, mjerim dhe shumë e rrezikshme

Komuna e Prishtinës ka reaguar ashpër ndaj bllokadës së zgjatur buxhetore, duke e cilësuar si një ndalesë të jashtëligjshme dhe politikisht të motivuar, që po paralizon jetën institucionale dhe shërbimet bazike për qytetarët e kryeqytetit.
Përmes një komunikate zyrtare, Komuna thekson se që nga fillimi i vitit 2025, Prishtina është pa buxhet funksional dhe kjo situatë, tashmë prej më shumë se gjashtë muajsh, nuk është më një çështje teknike apo procedurale, por një bllokadë e qëllimshme.
“Çerdhet dhe kopshtet nuk kanë më fonde për të siguruar ushqim për fëmijët. Programet sociale janë ndërprerë. Familjet në nevojë, personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit, artistët dhe sportistët kanë mbetur pa asnjë mbështetje institucionale. Rreziku është real dhe prek çdo shërbim jetik në Kryeqytet”, thuhet në njoftimin e komunës.
Komuna ngre shqetësimin se përveç ndaljes së buxhetit nga qeveria qendrore, janë bllokuar edhe të hyrat vetanake të mbledhura nga vetë qytetarët e Prishtinës – një akt i paprecedent që, sipas komunës, shkel rëndë të drejtën e qytetarëve për shërbime dhe siguri.
“Kjo është një ndëshkim i qëllimshëm politik, sepse Prishtina nuk qeveriset nga strukturat aktuale qendrore. Nuk është thjesht pengesë institucionale, por hakmarrje politike që po i kushton qytetarëve. Kjo qasje nuk ndëshkon një kryetar – ndëshkon një qytet të tërë”, thuhet më tej në reagim.
Komuna e Prishtinës bën të ditur se për të tretën herë me radhë i është drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve me kërkesën që të zbatohet Ligji për ndarjet buxhetore për vitin 2025 dhe të gjendet një zgjidhje e menjëhershme, ligjore dhe funksionale.
“Nuk do të lejojmë që qytetarët të penalizohen për shkak të kalkulimeve elektorale. Ne do të përdorim çdo mjet ligjor dhe institucional për të mbrojtur qytetarët tanë nga kjo padrejtësi flagrante. Ky nuk është vetëm një detyrim institucional – është detyrim moral,” përfundon reagimi i Komunës së Prishtinës./Telegrafi/




















































