Fshati Lipë, që shtrihet rrëzë bjeshkëve të Shalës së Bajgores, është i varur kryekëput nga blegtoria. Një vend atraktiv për zhvillimin e kësaj shtylle të rëndësishme të bujqësisë, blegtoria është elementi kryesor i jetës së banorëve të Lipës.

Për Brahim Kelmendin, blegtoria ia ka “shpëtuar” shumë kujt jetën në ditët më të vështira. “Ne gjatë stinës së dimrit jemi përgatitur për të paktën 3 muaj. Dhe këto përgatitje i kemi bërë, të them ashtu në krah të kafshëve që i kemi mbajtur gjatë stinës së verës. Sepse i vetmi burim i ekzistencës për ne janë bagëtitë, që na gjenden në ditët më të vështira të jetës sonë. Por, edhe nëse e kemi pasur edhe një lopë të vetme ne është dashur që ta shesim dhe ta blejmë miellin për të siguruar bukën për familjet tona. Këtu bie borë e madhe dhe bllokohen rrugët e nuk mund të lëvizim dhe sikur të mos i kishim ne bagëtitë nuk e di as si kishim hyrë në dimër e si ishim dalë nga dimri”, thotë Brahim Kelmendi.


I tërë fshati pothuajse jeton vetëm nga ndihmat sociale. Në pamundësi për të siguruar ndonjë punë tjetër, banorët janë pothuajse të detyruar që të punojnë punë më të rënda fizike. Prandaj, përkushtimi ndaj blegtorisë është puna më e lehtë për Safet Kelmendin, i cili thekson se nga bagëtia ka përfituar edhe të mira tjera materiale.

“Neve na duhen mjete me punu tokën dhe ato nuk i kemi, sepse me social nuk mundem me ble traktor. Kështu që gjatë verës unë jam marrë më shumë me blegtori, pra i jam përkushtuar më shumë shtimit të krerëve të bagëtive, në vjeshtë i kam shitur dhe e kam ble traktorin. Po sikur të mos merresha me blegtori as këto mjete të punës nuk i kisha bërë asnjëherë. Tash më to po e punoj tokën dhe po gjendem disi”, thekson Kelmendi.

E, përveç blegtorisë, edhe pyjet që e rrethojnë fshatin krijojnë lehtësi në jetën e banorëve. Safet Kelmendi thotë se në vjeshtë është dashur të shesin ndonjë traktor me dru, e të shpëtojnë nga situata. “Shpesh jemi bllokuar nga situata e rëndë ekonomike dhe jemi përballur me vështirësi të shumta. Por, nga ajo krizë kemi kaluar falë pyjeve që i kemi përreth fshatit. Janë pronë private e jona dhe me një traktor dru që e kemi dërguar në Mitrovicë e kam siguruar bukën për familjen time në kohët më të këqija”, tregon mes tjerash për hallin e tyre Kelmendi.

Ndryshe, fshati Lipë ishte i shkatërruar tërësisht nga lufta e fundit në Kosovë. Tani këtij fshati gradualisht po i kthehet jeta dhe banorët kanë filluar ta ngjallin atë duke u marrë intensivisht me bujqësi e blegtori. Madje këto janë bërë edhe kushtet kryesore përmes së cilave ata sigurojnë mirëqenien e tyre sociale. /FermaIme/Telegrafi/