Business Consultants Council (BCC) ka mbajtur takimin me përfaqësues të bizneseve të ndryshme vendore, rreth mundësive të ngritjes së kualitetit të shërbimeve të konsulencës, regjistrimin në platformën e dedikuar për konsulentë, konsulenca.org dhe një trajnim te specializuar për menaxhimin e mediave sociale dhe perspektivën dixhitale për këto institucione.
Të pranishëm kanë qenë 50 përfaqësues të bizneseve, shoqata dhe kompanive nga sektorë të ndryshëm privat si: prodhim, IT, zhvillim ekonomik, zhvillim të mundësive për tregti dhe eksport, gratë në ndërmarrësi, etj., ku kanë përfituar nga praktikat më të mira për fushën e konsulencës dhe menaxhimin dixhital.
Takimi është përqendruar në një panel të përbërë prej katër grave ndërmarrëse: Melita Ymeraga nga “Melita & Partners”, Hana Qerimi nga Shkolla Digjitale & StarLabs”, Yllka Metaj nga “AzTech” dhe Jehona Lluka nga BCC, të cilat kanë theksuar rëndësinë e praktikimit të shërbimeve të konsulencës, përdorimin e efektshëm të platformës konsulenca.org, mundësinë për ngritjen e kualitetit të konsulencës në Kosovë dhe kanë ndarë historitë e tyre të suksesit për zhvillim të bizneseve dhe kompanive. Ato përfaqësojnë katër biznese të suksesshme, jo vetëm në nivel lokal, rajonal dhe ndërkombëtar për eksportimin e shërbimeve.
Në këtë takim janë shfaqur katër video shpjeguese nga donatorë dhe kompani të ndryshme për rëndësinë e regjistrimit si konsulent në platformën dixhitale, gjetjen e një konsulenti varësisht nga fushëveprimi dhe për promovimin e platformës.
Organizimi ka përfshirë një ligjërim për menaxhim të mediave sociale nga eksperti i prezencës online, Valon Canhasi nga kompania “Hallakate“, i cili njëkohësisht është anëtar Patron në Business Consultants Council.
Ai ka folur për llojet e mediave sociale, rolin e tyre, menaxhimin e përmbajtjes, menaxhimin e kampanjave dhe anatominë e rrjeteve sociale si Facebook, Instagram dhe të gjitha mediat virale.
Qëllimi i këtij takimi ishte t’i forcoj kapacitetet e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, rreth informimit të fushëveprimit të saj për mundësitë e përfitimit nga shërbimet e konsulencës, platformës vlerësuese konsulenca.org dhe të stimulojë përfaqësimin dhe pjesëmarrjen aktive të grave në ndërmarrësi dhe zhvillim të biznesit.
Aktiviteti është mbështetur nga projekti Enhancing Youth Employment (EYE), i cili është një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, implementuar nga HELVETAS Bashkëpunimi Zvicerran dhe MDA (Rrjeti i menaxhimit të zhvillimit) dhe është zhvilluar nga Business Consultants Council (BCC). /Telegrafi/