Bisedimet e paqes në Ukrainë - çfarë është në lojë për evropianët?

Fillimisht të lënë mënjanë, evropianët duan të kthehen fuqishëm në negociatat e paqes midis Ukrainës dhe Rusisë, duke shfrytëzuar çështjet kryesore që mund të zgjidhen vetëm me miratimin e tyre.
Por cilat janë këto?
Plani i paqes me 28 pika, i hartuar nga Shtetet e Bashkuara Amerikës dhe Rusia për të përfunduar luftën në Ukrainë, tronditi evropianët me dispozitat e tij të gjerë, të cilat u perceptuan si tepër të favorshme për rusët, raporton euronews.
Kushtet gjithashtu nënkuptonin një humbje kontrolli për evropianët mbi kuadrin e tyre të sigurisë dhe do t’i privonin ata nga pikat kyçe të ndikimit mbi Moskën.
Bashkimi Evropian dhe aleatët po përpiqen tani të kenë një fjalë për atë që vjen më pas, veçanërisht për çështjet që kërkojnë pjesëmarrjen e tyre – nga sanksionet tek mbrojtja.
Anëtarësimi i Ukrainës në NATO

Ukraina ka pasur prej kohësh aspirata për t’u bashkuar me NATO-n, aleancën transatlantike që mbron anëtarët e saj me një nen të mbrojtjes kolektive. E goditur nga pushtimi i Rusisë, Ukraina e sheh Nenin 5 si mjetin më të fuqishëm për të penguar agresionet e ardhshme.
Në fillim të këtij viti, Sekretari i Përgjithshëm Mark Rutte deklaroi se Ukraina ndodhet në një “rrugë të pakthyeshme drejt anëtarësimit në NATO”. Megjithatë, kjo rrugë mbetet ende e pasigurt, pasi mes aleatëve nuk ka një konsensus të qartë. Ndërkohë, për Moskën, pranimi i Ukrainës në NATO konsiderohet një vijë e kuqe.
Plani i projektuar që rrodhi në publik javën e kaluar përfshinte një nen të gjerë për të mbajtur Ukrainën larg NATO-s - përgjithmonë.
“Ukraina pranon të vendosë në kushtetutën e saj se nuk do të bashkohet me NATO-n, por edhe aleanca pranon të përfshijë në statut një dispozitë që Ukraina nuk do të pranohet në të ardhmen”, thuhej aty.
Formulimi i kësaj fjalie u prit keq nga evropianët, pasi do të impononte në praktikë një veto ruse mbi aleancën, gjë që mund të krijonte një precedent të rrezikshëm.
Evropianët insistonin që çdo vendim që lidhet me NATO-n duhet të merret vetëm nga aleatët e aleancës.
Kjo logjikë do të zbatohej edhe për një tjetër element të planit të paqes: vendosjen e mundshme të trupave të NATO-s në tokën ukrainase. Kjo ide u propozuar fillimisht nga “Koalicioni i Gatshëm” i udhëhequr nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar.
Në muajin shtator, presidenti francez, Emmanuel Macron njoftoi se 26 vende kishin rënë dakord të dërgonin trupa në Ukrainë si pjesë e një “force sigurie” ose për të ofruar ndihmë në tokë, në det ose në ajër si pjesë e garancive të sigurisë për të ardhmen.
Lehtësimi i sanksioneve për ekonominë e goditur të Rusisë

Bashkimi Evropian ka vendosur 19 paketa sanksionesh ndaj Rusisë në një përpjekje për të dobësuar aftësinë e rusëve për të financuar luftën.
Sanksionet janë të gjera dhe komplekse, duke përfshirë importet, eksportet, bankat, energjinë, transportin, mbrojtjen, shërbimet dhe mediat, si dhe një listë të zezë me mbi 2700 individë dhe subjekte të akuzuar për ndihmën e makinës së luftës ruse.
Lehtësimi i sanksioneve ka qenë gjithmonë në krye të listës së dëshirave të Kremlinit.
Një përpjekje e parë në maujin mars u refuzua fuqishëm nga Brukseli. Tani, ata po e provojnë përsëri: plani me 28 pika flet për heqjen e sanksioneve “në faza dhe në bazë të rasteve konkrete”.
Nëse ky lehtësim ekonomik ndodh, do të varet kryesisht nga BE-ja, e cila administron regjimin më të madh të sanksioneve mes aleatëve perëndimorë.
Zyrtarët dhe diplomatët janë të kujdesshëm për të mos i hequr kaq shpejt sanksionet dhe pa garancitë se Rusia nuk do ta sulmojë sërish Ukrainën.
Ndërkohë që bisedimet vazhdojnë, pritet që blloku të kërkojë një plan të gjatë dhe të dizajnuar me kujdes, që të lejojë rivendosjen e ndëshkimeve të ashpra në çdo moment.
Edhe nëse lehtësimi do të jepet, disa komponentë thelbësorë shkojnë përtej fushës së sanksioneve. BE-ja po punon aktualisht për një fazë të pakthyeshme të ndalimit të të gjitha blerjeve të energjisë ruse deri në vitin 2028, duke privuar Moskën nga klientela e saj dikur e besueshme.
Aktivet e ngrira të Bankës Qendrore Ruse

Asnjë sanksion nuk i ka dhënë bllokut ndikim më të madh sesa ngrirja e aktiveve të Bankës Qendrore Ruse, me një vlerë marramendëse prej 210 miliardë eurosh në territorin e BE-së.
Këto aktivë janë në qendër të një plani të guximshëm për të dhënë një hua kompensimi që mund të mbulojë nevojat financiare dhe ushtarake të Ukrainës për vitet 2026 dhe 2027. Me tërheqjen e SHBA-së nga ndihma ndaj Kievit, barra bie plotësisht mbi BE-në.
Fondi i kompensimeve do të përdorte të ardhurat e gjeneruara nga asetet ruse dhe do të shlyhej vetëm nëse Moska pranon të paguajë për dëmet e shkaktuara nga lufta.
Por, plani me 28 pika i publikuar javën e kaluar ndryshoi rrënjësisht këtë skenar, pasi parashikon ndarjen e aktiveve në dy fonde investimi të veçanta që do t’i lejojnë si SHBA-së ashtu edhe Rusisë të përfitojnë komercialisht.
Kjo ka shkaktuar zemërim dhe shqetësim tek evropianët, të cilët i shohin këto aktivë si mjetin e tyre më të fuqishëm për të detyruar Rusinë të paguajë për dëmet e shkaktuara.
Me negociatat që po zhvillohen me ritëm të shpejtë, evropianët insistojnë që aktivet nuk mund të shkrijnë lehtë, dhe Rusia duhet të paguajë kompensim në formën e reparacioneve. Një zyrtar i tha Euronews se plani i publikuar javën e kaluar ishte “brutalitet ekonomik”.
Antonio Costa, presidenti i Këshillit Evropian, tha se një vendim për mënyrën e mbulimit të hendekut financiar të Ukrainës do të merret në mes të dhjetorit.
Riintegrimi global i Rusisë në G8

Plani me 28 pika gjithashtu parashikon që Rusia të ftohet përsëri në G8, në një lëvizje që do të përfundonte izolimin e presidentit rus, Vladimir Putinit nga skena ndërkombëtare dhe fuqitë e mëdha globale. Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar publikisht se do të mbështeste rikthimin e Rusisë.
Rusia u pezullua përkohësisht nga G8 në vitin 2014 pas aneksimit të Krimesë. Grupi u rinjoh si G7 dhe që atëherë ka ruajtur këtë emër.
“Putin më flet mua, nuk flet me askënd tjetër sepse u ofendua kur u përjashtua nga G8”, tha Trump në muajin qershor, duke e quajtur pezullimin “një gabim të madh”.
Si një organizatë bazuar në konsensus, rikthimi i Rusisë në grup do të kërkonte miratimin e të gjithë anëtarëve aktualë, përfshirë Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Italinë, Kanadanë dhe Japoninë, si dhe BE-në. Rikthimi i Rusisë do të përfaqësonte një dështim të politikës së tyre të izolimit si dënim për sulmin ndaj Ukrainës.
Analistët argumentojnë se një lëvizje e tillë do të ishte ekuivalente me një amnisti politike për Putinin.
Anëtarësimi i Ukrainës në BE

Moska është shumë kundër anëtarësimit të Ukrainës në NATO, por ka qenë më pak zëdhënëse për anëtarësimin e saj në BE. Uashingtoni gjithashtu është në favor të këtij anëtarësimi si një “çmim ngushëllues” për Kievin.
“Ukraina është e kualifikuar për anëtarësim në BE dhe do të marrë qasje të shpejt në tregun evropian ndërkohë që kjo çështje po diskutohet”, thuhet në planin me 28 pika.
Brukseli ka thënë se anëtarësimi është ekskluzivisht i “bazuar në merita” dhe nuk është rezultat i politikës apo marrëveshjeve të jashtme. Ashtu si me sanksionet, anëtarësimi varet tërësisht nga miratimi unanim.
Ndërkohë që Ukraina ka bërë përparime teknike si rezultat i reformave strukturore, vetoja e Hungarisë ka parandaluar që vendi të bëjë ndonjë përparim këtë vit.
Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian, tha gjatë fundjavës se është vendimi i Kievit për të përcaktuar se si do të duken aleancat e saj të ardhshme, jo presioni i jashtëm.
“Ukraina duhet të ketë lirinë dhe të drejtën sovrane për të zgjedhur fatin e saj”, tha von der Leyen në një deklaratë dhe shtoi se “ata kanë zgjedhur një fat evropian”. /Telegrafi/



















































