Besojeni ose jo, Moyes është i lumtur me shuplakën e futbollistit të tij ndaj bashkëlojtarit

Trajneri i Evertonit, David Moyes, nuk donte ta kritikonte shumë Idrissa Gueyen pasi lojtari e goditi me shuplakë shokun e tij të skuadrës Michael Keane në mes të ndeshjes kundër Manchester United.
Evertoni arriti në mënyrë të mrekullueshme një fitore të vështirë 1-0 si mysafir në Old Trafford, pavarësisht faktit se luajti thuajse të gjithë ndeshjen me një lojtar më pak.
Gueye pati një "moment çmendurie" në mes të ndeshjes, duke u grindur me bashkëlojtarin e tij, Keane, dhe më pas duke e goditur me shuplakë para të gjithëve.
Ai mori një karton të kuq dhe trajneri i Evertonit, Moyes, menjëherë pas ndeshjes gjeti diçka të mirë në gjithçka, teksa komentoi situatën.
"Më kanë thënë se rregullat e lojës janë që nëse e godet shokun e skuadrës, mund të kesh probleme. Por ka edhe një anë tjetër të kësaj. Më pëlqen kur lojtarët e mi debatojnë me njëri-tjetrin nëse dikush nuk ka bërë gjënë e duhur”.
“Nëse dëshiron atë ashpërsi dhe qëndrueshmëri për të marrë një rezultat, do që dikush të reagojë ndaj një lëvizjeje të keqe", ka thënë Moyes për Sky Sports.
Ndryshe, Gueye menjëherë i kërkoi falje Keanet, shokëve të tij të ekipit, klubit dhe tifozëve, duke thënë se nuk do ta përsëriste kurrë një veprim të ngjashëm dhe se ishte i pushtuar nga emocionet. /Telegrafi/




















































