Mesfushori Veldin Hoxha ka komentuar dy përballjet ndaj Sllovenisë dhe Zvicrës, si dhe është i sigurt se do të kualifikohemi në Kupën e Botës 2026.

Hoxha ishte zëvendësues në fitoren 0-2 kundër sllovenëve, ndërsa luajti nga minuta e parë në barazimin 1-1 kundër Zvicrës, të martën mbrëma në “Fadil Vokrri”.


Ai në një intervistë për Telegrafin tha se është i lumtur me paraqitjet në këto dy përballje.

“Do të thosha se ishte një fitore e madhe ndaj Sllovenisë dhe një lojë e mirë kundër Zvicrës”, deklaroi fillimisht 23-vjeçari.

Veldin Hoxha

Hoxha ndër të tjera komentoi edhe atmosferën e jashtëzakonshme te “Dardanët”, ku theksoi se të gjithë lojtarët po e ndihmojnë me përkthim, pasi ende nuk e di gjuhën shqipe.

“Kemi një atmosferë të mirë në skuadër, të gjithë njerëzit janë shumë të mirë përfshirë lojtarët. Ende nuk di si të flasë në gjuhën shqipe, por të gjithë po më ndihmojnë me përkthimin dhe gjëja e mirë që trajnerët flasin anglisht, prandaj është më e lehtë”.

“Po adaptohem shumë shpejtë sepse po më flasin shumë, më shpjegojnë gjithçka në detaje dhe kuptohet me skuadrën që kemi, është e lehtë të adaptohesh dhe të luash”.

Ai ndër të tjera ishte afër të shënonte edhe golin e parë me Kosovën ndaj Sllovenisë, mirëpo Jan Oblak me një super pritje ia mohoi golin.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe do të bëj gjithçka për ta ndihmuar skuadrën. Kisha një mundësi të mirë shënimi, por nuk arrita ta realizoja (ndaj Jan Oblakut), mirëpo shpresoj që së shpejti ta gjej golin. Sllovenia dhe Zvicra ishin skuadra të mira, por dëshmuam se mund të luajmë ndaj gjithkujt”.

Veldin Hoxha

I pyetur se kë e preferon në play-off, ku shorti do të tërhiqet nesër, Hoxha ishte i qartë: Nuk ka rëndësi me kë luan Kosova pasi secili do të jap gjithçka.

“Nuk ka rëndësi më kë luajmë, duhet të japim gjithçka dhe ta tregojmë kualitetin. E dimë sa të rëndësishme janë këto ndeshje”.

Në fund, mesfushori mbrojtës nënvizoi se Kosova do të shkojë në Kupën e Botës 2026.

“Besoj se mund të shkojmë në Kupën e Botës”, përfundoi ai për Telegrafin.

Me paraqitjet fantastike, Hoxha ka filluar t’ua fitojë zemrat edhe tifozëve dardanë, derisa shihet si zgjedhja kryesore e Franco Fodas në rast që mungojnë dyshja e Bundesligës, Leon Avdullahu e Elvis Rexhbecaj.

Kujtojmë, Kosova të enjten e mëson kundërshtarët për gjysmëfinalen dhe finalen e play-offit të Kupës së Botës 2026, ndërsa ndeshjet i zhvillon në muajin mars të vitit të ardhshëm./Telegrafi

telegrafi sport app