Berisha: Shtrenjtimi i biletave të autobusëve për shkak të rritjes së çmimit të karburanteve, kërkohet ndërhyrje nga Qeveria

Pas rritjes së çmimit të derivateve të naftës në vend disa kompani private të autobusëve nëpër komunat e Kosovës kanë rritur çmimin e biletave për udhëtarët.
Kryetari i Unionit të Shoqatave të Transportit të Udhëtarëve, Jakup Berisha ka folur për arsyet e rritjes së çmimeve të biletave në transportin rrugor në Kosovë, duke theksuar se ky sektor funksionon në një treg plotësisht të lirë.
Sipas tij, të gjitha kompanitë e transportit të udhëtarëve në vend janë private dhe vendimet për çmimet merren nga vetë pronarët apo drejtuesit e tyre, pa koordinim me institucione apo organizime të tjera.
“Së pari tregu është i lirë, kompanitë e transportit rrugor të udhëtarëve në Kosovë janë 100 për qind private, dhe vendosin vetë pronarët apo drejtorët e jo në koordinim me asnjë institucion apo organizim tjetër. Arsyeja kryesore e shtrenjtimit të biletave është gjendja e krijuar pas shtrenjtimit të karburanteve pas fillimit të luftës dhe mbylljes të Gjirit të Hormuzit nga ana e Iranit, ku kalojnë mbi 20% të tregtisë botërore me Naftë dhe karburantet tjera”, ka thënë Berisha.
Se a do të zbresin biletat nëse ulet çmimi i karburanteve, Berisha tha “personalisht mendoj se po”.
Ndërkohë, Berisha ka kritikuar mungesën e reagimit institucional, duke thënë se Qeveria e Kosovës ka pasur mundësi të ndërhyjë për të parandaluar rritjen e çmimeve.
Sipas tij, kjo mund të ishte bërë përmes dy masave konkrete: hedhjes në treg të rezervave shtetërore të dizelit, të destinuara për transportin e udhëtarëve, ose përmes heqjes së akcizës për këtë lloj karburanti.
Ai ka theksuar se aktualisht një pjesë e madhe e çmimit të naftës përbëhet nga taksat, duke rënduar jo vetëm sektorin e transportit, por edhe qytetarët në përgjithësi.
Berisha potencoi se për të ndaluar ngritjen e çmimit të biletave duhet që “Qeveria e Kosovës të gjej mënyrën se si do e parandalonte këtë ngritje të çmimit të naftës në dy mënyra: përmes lëshuarjes në treg rezervat shtetërore të Dizellit, përcaktuar vetëm për transport të udhëtarëve, ose heqjen e akcizës në dizell. Sot derisa flasim shteti apo qeveria inkason nga çmimi prej 1.70 sa është sot 1.02 euro/1 litër dizell, po mendoj kjo qeveri për qytetarët e këtij vendi e të cilët e votuan me 51.11% do vepronte si të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimorë për heqjen e akcizës dhe t’i parandalojë ngritjen e çmimeve të biletave dhe jo vetëm, sepse kjo ndikon edhe në shportën qytetare sepse të gjitha mallrat e konsumit të përgjithshëm do pësojnë ngritje çmimi sepse edhe ato transportohen me mauna të cilët shpenzojnë karburante”. /Telegrafi/




















































