Berisha: Lufta e UÇK-së ishte faqja më e ndritur e historisë shqiptare, procesi në Hagë i fabrikuar

Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) ka dalë me një deklaratë zyrtare në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe ish-udhëheqësve të saj që po gjykohen në Hagë, duke e cilësuar luftën çlirimtare si “faqen më të ndritur të historisë kombëtare shqiptare”.
Në komunikatën e publikuar, PD thekson se pa sakrificën, gjakun dhe heroizmin e luftëtarëve të UÇK-së, Kosova nuk do të ishte sot një shtet i lirë dhe i pavarur. Sipas saj, lufta e UÇK-së ishte lufta e fundit çlirimtare në Evropë, që i dha fund pushtimit serb dhe u zhvillua në aleancë me NATO-n gjatë fushatës së pranverës 1999.
Partia Demokratike thekson se, ndonëse ka mbështetur krijimin e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë dhe ka ndjekur nga afër proceset gjyqësore kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, deri më tani “nuk është paraqitur asnjë fakt apo provë që vërteton akuzat ndaj tyre”.
“Janë rrëzuar akuzat monstruoze si ajo e ‘shkuljes së organeve’ dhe nuk është provuar asnjë urdhër i drejtpërdrejtë nga ish-udhëheqësit e UÇK-së për krime konkrete. Ky proces dëshmon se dosjet janë fabrikuar nga Beogradi dhe armiq të tjerë të kombit shqiptar,” thuhet në deklaratë.
PD i ka bërë thirrje trupit gjykues në Hagë që të shpallë sa më parë pafajësinë e ish-udhëheqësve të UÇK-së, në respekt të parimeve ndërkombëtare të drejtësisë.
Në fund, Partia Demokratike përshëndet protestat paqësore të bashkëluftëtarëve të tyre dhe dënon “çdo përpjekje për manipulim të tyre nga armiq të Kosovës dhe albanofobë shqipfolës”.


















































