Shkëndija ka pësuar humbjen e parë në këtë edicion të garave evropiane. Kuqezinjtë u mposhtën minimalisht në shtëpi nga Qarabagu i Azerbajxhanit me rezultat 0-1, në ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve, njofton Telegrafi.

Kjo do të thotë se në sfidën e kthimit që luhet më 12 gusht në Baku, skuadra tetovare do të synojë përmbysjen e disavantazhit të një goli, për të siguruar kualifikimin në fazën play-off të garës më prestigjioze evropiane, ku e pret fituesi i çiftit Ludogorets (Bullgari) – Ferencvaros (Hungari).


Pas ndeshjes, trajneri i Shkëndijës, Jeton Beqiri bëri analizën e sfidës dhe shpjegoi arsyet e disfatës.

“Falënderoj publikun për atmosferën që krijoi. Mendoj se ishte një ndeshje ku nuk duhej të pësonim një gol të tillë, nga një situatë ku duhej të ishim më të kujdesshëm. Të jemi të sinqertë, Qarabagu pati disa raste të mira, por edhe ne kishim tonat. Në pjesën e dytë ishim më të mirë, se sa në të parën. Gjithsesi, i përgëzoj lojtarët dhe do të mundohemi ta gjejmë gabimin tona, sepse përgjegjësinë e mbaj unë.

Do të provojmë çdo mundësi në Baku, sepse kemi humbur vetëm me një gol, asgjë nuk ka përfunduar. Nëse bëjmë një ndeshje perfekte, mund të arrijmë një rezultat pozitiv në transfertë,” deklaroi Beqiri.

Sfida e kthimit Qarabag – Shkëndija luhet të hënën më 12 gusht, nga ora 18:00 në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku. /Telegrafi/

telegrafi sport app