Ekzistojnë dallime të mëdha në çmimet e karburanteve midis vendeve të Bashkimit Evropian, ndërsa në disa raste çmimet e dizelit janë rritur edhe deri në 30 për qind.

Rritja e çmimeve është nxitur kryesisht nga zhvillimet gjeopolitike, veçanërisht tensionet dhe konfliktet në Lindjen e Mesme, që kanë ndikuar drejtpërdrejt në tregjet globale të naftës.


Si pasojë, çmimet e derivateve të naftës janë rritur ndjeshëm në të gjithë Evropën, shkruan euronews.

Megjithatë, rritja nuk është e njëjtë në të gjitha vendet. Në disa shtete anëtare, çmimet janë rritur vetëm pak, ndërsa në të tjera janë rritur shumë më tepër. Kjo krijon dallime të mëdha mes vendeve të BE-së.

Një nga arsyet kryesore për këto dallime janë politikat fiskale kombëtare. Taksat mbi karburantet, përfshirë TVSH-në dhe taksat për emetimet e CO₂, ndryshojnë nga një vend në tjetrin dhe ndikojnë drejtpërdrejt në çmimin final që paguajnë qytetarët.

Në disa vende, si Gjermania apo Holanda, çmimet janë ndër më të lartat në Evropë, pjesërisht për shkak të taksave më të larta dhe politikave mjedisore më të rrepta.

Nga ana tjetër, vende të tjera kanë arritur të mbajnë çmime më të ulëta falë taksave më të ulëta ose ndërhyrjeve të qeverisë për të kufizuar rritjen e çmimeve.

Në përgjithësi, tregu evropian i karburanteve po përballet me një periudhë paqëndrueshmërie, ku faktorët globalë dhe politikat kombëtare po krijojnë dallime të mëdha në çmime nga një vend në tjetrin.

Ndryshe, të mërkurën, Ministria e Tregtisë vendosi shifrën maksimale prej 1.89 euro për litër për shitjen e naftës, derisa ai i benzinës qëndroi i njëjtë me një ditë përpara, 1.46 euro. /Telegrafi/