Bebe Rexha nderohet me çmimin 'Female Icon Award 2026' nga EDMAwards

Këngëtarja shqiptare me famë botërore Bebe Rexha është shpërblyer së fundmi me çmimin “Female Icon Award 2026” nga EDMAwards, një vlerësim i rëndësishëm për kontributin e saj në muzikën dance.
E emocionuar për këtë arritje, artistja ka ndarë me ndjekësit e saj në Instagram një video ku shihet duke pranuar trofeun, teksa falënderon fansat dhe komunitetin e muzikës elektronike për mbështetjen e vazhdueshme.
“Wow, faleminderit EDMAs. Kjo është e pabesueshme. ‘Female Icon Award 2026’. Dua të falënderoj shumë fansat e mi që më kanë mbështetur gjatë këtij rrugëtimi të çmendur. Faleminderit gjithashtu komunitetit të muzikës dance që më ka pranuar. Muzika dance ka qenë gjithmonë një pjesë e madhe e jetës sime. Ka qenë arratisja ime, terapia ime – dhe vazhdon të jetë edhe sot. Nuk ka asgjë si ta dëgjosh këngën tënde në një festival, në klub apo në makinë. Kur bëhet fjalë për muzikën dance, ndjesia është krejt ndryshe. Faleminderit edhe një herë. Dhe sigurohuni të dëgjoni këngën time të re ‘New Religion’, me grupin e mrekullueshëm Faithless. Është publikuar tashmë. Cheers”, u shpreh ajo.
Vitet e fundit, Bebe Rexha ka qenë shumë e angazhuar në zhanrin euro-dance, duke sjellë projekte që janë shndërruar në hite globale. Ndër më të suksesshmet përfshihen I'm Good (Blue), One in a Million dhe New Religion, të cilat i përkasin këtij stili muzikor.
Ky çmim konsiderohet si një tjetër arritje e rëndësishme në karrierën e saj, duke konfirmuar ndikimin që artistja shqiptare ka në skenën ndërkombëtare të muzikës elektronike. /Telegrafi/
- YouTube youtu.be




























































