Barcelona do t’i bëjë konkurrencë Liverpoolit për shërbimet e Marc Guehit

Barcelona dhe Real Madridi kanë ndjekur në vitet e fundit një politikë të qartë, eksplorimin e tregut të lojtarëve të lirë për transferime me vlerë, veçanërisht të atyre me përvojë.
Real Madridi ka ndikuar ndjeshëm në planet e afatit kalimtar të Liverpoolit kohët e fundit, dhe Barcelona shpreson të ndjekë të njëjtën rrugë.
“Los Blancos” janë shumë të interesuar për mbrojtësin qendror të Liverpoolit, Ibrahima Konate, dhe refuzimi i francezit për të rinovuar kontratën i lejon Realit ta kontaktojë që në janar për një transferim si lojtar i lirë, ashtu siç vepruan me Trent Alexander-Arnold.
Ky zhvillim ka shtyrë Liverpoolin të kërkojë një zëvendësues potencial, duke synuar Marc Guehi, mbrojtësin e përfaqësueses së Anglisë.
Megjithatë, një marrëveshje me vlerë 35 milionë euro me Crystal Palace dështoi në ditën e fundit të afatit kalimtar, çka sipas raporteve ka zhgënjyer vetë lojtarin.
Sipas mediumit katalanas Sport, Marc Guehi është tashmë në radarët e drejtorit sportiv të Barcelonës, Deco.
Blaugranasit janë tërhequr nga situata kontraktuale e 25-vjeçarit, i cili konsiderohet një nga mbrojtësit më të mirë në Ligën Premier për momentin.
Shumëkush pret që Liverpooli të rikthehet për të nënshkruar me Guehin, sidomos pasi kishin arritur marrëveshje personale me të përpara se marrëveshja të dështonte. Por raporti thekson gjithashtu se edhe Real Madridi po ndjek nga afër situatën e tij.
Pas largimit të Inigo Martinez këtë verë, Barcelona ka në dispozicion në qendër të mbrojtjes Eric Garcia, Jules Kounde, Andreas Christensen, Ronald Araujo dhe Pau Cubarsi.
Me Christensen që i skadon kontrata verën e ardhshme, dhe me Kounde që shpesh përdoret si mbrojtës i djathtë, ka hapësirë të mjaftueshme për një përforcim të ri në fazën defanzive./Telegrafi/





















































