Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

A mund të kenë burrat me të vërtetë gjithçka? Është një pyetje qesharake, natyrisht; një supozim kontrovers nga i cili gratë kanë kaluat vite të tëra duke u përpjekur që të çliroheshin. Nënat kanë punuar gjatë dhe shumë për të hedhur poshtë mitin se dikush duhet të jetë në gjendje të menaxhojë e vetme një punë, fëmijën, një marrëdhënie të lumtur dhe një jetë me kuptim pa u djersitur kurrë ose (më me rëndësi) pa pasur nevojë për ndihmë.


Dhe, deri në një farë mase kemi pasur sukses, gjykuar nga një sondazh me pesë mijë baballarë në Mbretërinë e Bashkuar, publikuar këtë javë nga organizata bamirëse Working Families që zbuloi se tri të katërtat tani thonë se me të vërtetë duan të ndajnë barrën e prindërimit në mënyrë të barabartë me partneret e tyre. Por, duket se bota e jashtme nuk ka arritur ende të na ndjekë.

Një në pesë burra tha se ishte pyetur - kur kërkoi pushim nga puna për arsye familjare - se ku ishte gruaja ose partnerja e tij. Përkthim: a nuk është ajo puna e saj? Dhe, ndoshta, me zë të ulët: nëse në shtëpinë tënde nuk është puna e saj, çfarë lloj burri je ti? Shumica e pengesave të tjera që burrat raportuan - si ato për sfidën nëse kriza familjare ishte me të vërtetë kaq urgjente, ose të shqetësoheshin se shefi i tyre do të mendonte më pak për ta për shkak të kërkesës - do të jenë të njohura në mënyrë për shumicën e nënave që punojnë. Por, mua kurrë nuk më kanë pyetur pse nuk mund ta shtyjë burrin të bëjë gjithçka, në një mënyrë që nënkupton se duhet të ketë diçka që nuk shkon me mua ose jo.

Betejat e baballarëve që punojnë janë si të njëjta ashtu edhe të ndryshme nga ato të nënave që punojnë, dhe këtu qëndron ndjesia e lehtë e dyshimit mes dy kampeve që në thelb po luftojnë të njëjtën luftë. (Supozimi se nënat janë prindër të paracaktuar, se thjesht duhet të lënë gjithçka nëse një fëmijë është i sëmurë ose nëse telefonon shkolla, është toksik për të dy gjinitë sepse minon karrierat e grave dhe gjithashtu përpjekjet e burrave për të qenë baballarë të mirë.) Megjithatë, mund të jetë e vështirë të shihen ngjashmëritë në punë kur luftoni me njëri-tjetrin në shtëpi, të kyçur në konkurrencë për të treguar kush është më i lodhur ose kujt i takon të shkojë në këndin e lojërave për fëmijë. Ku ishe ti kur ne po bënim punën më të vështirë?, mendojnë gratë për vete, kur dëgjojnë një lloj burri që flet me zë të lartë për faktin se është krenar që është me të vërtetë i pranishëm për fëmijët. Ah, tani burrat janë të interesuar për punën fleksibile: tani që pandemia e ka normalizuar plotësisht punën mjaft të këndshme nga shtëpia, është thjesht çështje e përdorimit të të drejtave ligjore që gratë dikur luftuan si luanesha për t’i fituar? Kur disa nga deputetët e rinj meshkuj të Partisë Laburiste filluan të bënin fushatë për pushim atësie më të paguar dhe të ishin të hapur për ta marrë vetë atë, ata nuk u bënë gjithmonë të dashur për koleget e tyre gra që kishin qenë në ato barrikada për vite me radhë, megjithëse baballarët që angazhohen kanë qenë gjithmonë pjesa e fundit e enigmës së barazisë.

Por, dikush duhet t’u tregojë burrave se kjo mund të bëhet. Mësimi nga futja e pushimit të përbashkët prindëror - që nënkupton se çiftet munden, në teori, të ndajnë deri në 50 javë pushim mes vete gjatë vitit të parë të fëmijës - është se shumë baballarë nuk ndihen rehat të shfrytëzojnë të drejtat e reja që u jepen, sepse ende e ndiejnë presionin për të qenë siguruesit kryesorë të të ardhurave. Qeveria tashmë është zotuar të bëjë një rishikim më të gjerë të lejes prindërore, dhe këtë verë komiteti ndërpartiak për barazi në Dhomën e Komunave argumentoi, në një raport, se pushimi atësor më bujar dhe i paguar duhet të jetë një përparësi (aktualisht shumë burra mbeten me minimumin ligjor, i ngrirë në kohë në më pak se gjysma e pagës minimale kombëtare). Por, as kjo nuk do të sjellë ndryshim rrënjësor nëse burrat nuk ndihen të lirë ta marrin atë pa u ndëshkuar.

Një zgjidhje e ofruar në konferencën e kësaj jave për Prindërimin e Barabartë në Londër, ku u diskutua edhe kërkimi i Working Families, ishte një fushatë që burrat të “jenë prindër të zëshëm” duke marrë gjithë pushimin që u takon dhe duke vendosur haptazi marrjen e fëmijëve nga çerdhja, në kalendarët e zyrës, në vend që të shtiren se po largohen më herët për ndonjë takim shumë të rëndësishëm. Nëse jo për diçka tjetër, kjo mund të hapë një bisedë për stresin që disa burra duket se po e mbajnë brenda vetes.

Sepse, baballarët, siç duket, nuk janë tamam në rregull. Një anketë e thelluar mbi qëndrimet e burrave britanikë ndaj maskulinitetit, e publikuar këtë javë nga YouGov, paraqet një tablo inkurajuese në shumë aspekte, duke vënë re se - në kundërshtim me besimin e zakonshëm - të rinjtë nuk janë të gjithë mizogjenë të zemëruar të radikalizuar në internet. (Vetëm 13 përqind e brezit Z kanë një mendim pozitiv për ndikuesin famëkeq Andrew Tate, megjithëse mund të argumentohet se kjo është 13 përqind më shumë seç duhet.) Por, sugjeron një prirje të çuditshme hidhërimi te burrat milenialë, te grupi që tani është në të 30-at dhe 40-at, tek ata që janë në vitet e lodhshme të përkujdesjes për fëmijë të vegjël. Ata janë grupmosha më e prirë të thotë se gratë e kanë më të lehtë në shoqëri sesa burrat, ose se përfitimet e grave në dekadat e fundit kanë ardhur në kurriz të burrave. Megjithëse këto mbeten pikëpamje të pakicës, të përqafuara nga më pak se një e katërta e milenialëve, YouGov gjen një besim të përhapur te të gjithë brezat se jeta ka qenë më e mirë për burrat 25 vjet më parë.

Ndoshta këta janë thjesht zërat e atyre që kanë mbetur pas në dashuri, të lënduar nga vite të tëra refuzimesh në aplikacionet e takimeve. (Milenialët ishin gjithashtu grupmosha më e prirë të thotë se gratë janë të interesuara vetëm për burra me status të lartë.) Por, a mund të jenë të paktën disa prej tyre burra të kapur në mes të partnereve të zemëruara, sepse nuk po japin kontributin e tyre - gjë që, për të qenë të drejtë, disa ende nuk e bëjnë, gjykuar nga statistikat që tregojnë se burrat ende kalojnë vetëm dy të tretat e kohës që gratë kalojnë në kujdes të papaguar për fëmijët - dhe frikës nga dështimi profesional?

Anketa e Working Families me siguri sugjeron se shumë baballarë të rinj ndihen të dërrmuar, ndoshta më shumë sesa etërit e tyre. Ata shqetësohen se po humbin momente të rëndësishme në jetën e fëmijëve të tyre, por edhe se mund të jenë barrë për kolegët nëse marrin pushim. Një e treta nuk kishin marrë pushim atësie sa do të kishin dashur, dhe pothuajse dy të tretat ndiheshin rregullisht të gjykuar në punë për vendosjen e angazhimeve familjare në radhë të parë. Gati tetë në dhjetë mendonin se tensionet që rezultonin po krijonin stres tek ata, partnerja apo mirëqenia e fëmijës së tyre.

Dhe, po, natyrisht që nuk është asgjë që nënat punëtore nuk e kanë përjetuar këtë prej dekadash: në këtë kuptim, mirë se vini në klub. Por, është pikërisht kështu sepse e dimë se si ishte - sa të zemëruara, të lodhura, fajtore dhe të pakënaqura ndiheshim ndonjëherë - që gratë të jenë të afta të ndiejnë solidaritet. Kjo është ajo gjëja me të pasurit fëmijë: pas kësaj, me të vërtetë jeni në të njëjtin front së bashku. /Telegrafi/