Dy ndryshime të vogla në gojë mund të zbulojnë mungesën e vitaminës që ndikon në gjak, nerva dhe energji

Të gjithë e dimë se vitaminat dhe lëndët ushqyese janë thelbësore për funksionimin e duhur të organizmit, dhe zakonisht i marrim përmes ushqimit. Megjithatë, ndonjëherë mund të shfaqet mungesa e disa nutrientëve, dhe dy simptoma të pazakonta në gojë mund të tregojnë mungesën e vitaminës së rëndësishme B12.


Vitamina B12 ka rol kyç në trup, ruan shëndetin e qelizave të gjakut dhe nervave dhe ndihmon në parandalimin e anemisë, një gjendje që mund të shkaktojë lodhje kronike dhe dobësi. Edhe pse lodhja, ndjesia e mpirjes dhe humbja e peshës janë shenja të zakonshme të mungesës së vitaminës B12, ekzistojnë edhe simptoma të tjera më pak të njohura, shkruan Express.co.uk, përcjell Telegrafi.

Shenjat paralajmëruese në gojë

Sipas udhëzimeve të Shërbimit Shëndetësor Kombëtar të Britanisë (NHS), një gjuhë e dhimbshme dhe e skuqur, e njohur mjekësisht si glositi, mund të sinjalizojë mungesë të vitaminës B12. Glositi shkakton ndryshim të ngjyrës dhe formës së gjuhës, e cila bëhet e dhimbshme, e kuqe dhe e ënjtur. Për shkak të inflamacionit, gjuha mund të marrë edhe një pamje të pazakontë të lëmuar, pasi gungëzat e vogla në sipërfaqe, që përmbajnë shijet, zhduken. Një tjetër simptomë e mundshme janë aftet - plagë të vogla, të dhimbshme në gojë.

Shkaqet dhe zgjidhjet

Mungesa e mjaftueshme e vitaminës B12 mund të çojë në anemi, dhe një nga shenjat e saj është edhe humbja e ndjesisë së shijes. Mungesa zakonisht vjen si pasojë e ushqyerjes jo të rregullt. Një dietë e pasur me mish, peshk dhe produkte bulmeti zakonisht siguron sasi të mjaftueshme të kësaj vitamine. Prandaj, personat që nuk konsumojnë rregullisht këto ushqime janë më të rrezikuar për të zhvilluar mungesë.

Anemia e shkaktuar nga mungesa e vitaminës B12 zakonisht trajtohet me injeksione. Nëse dyshoni se mund të keni mungesë, këshillohet të konsultoheni me mjekun e familjes, i cili mund t’ju udhëzojë të bëni analizë gjaku për të kontrolluar nivelin e vitaminës në organizëm. /Telegrafi/