Avokati Arianit Koci ka reaguar ndaj deklaratës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila u bëri thirrje qytetarëve që të shmangin kalimin nëpër Serbi pas rasteve të përsëritura të arrestimeve të kosovarëve nga autoritetet serbe.

Në një reagim publik, Koci tha se ndonëse shqetësimi është i drejtë dhe rreziku real, qasja e institucioneve nuk duhet të prodhojë frikë apo ndjenjë dorëzimi te qytetarët.


“Kur thua ‘mos shkoni’, atëherë duhet të tregosh edhe ‘si do t’ju mbrojmë’ dhe ‘çfarë zgjidhje po ofrojmë’. Përndryshe, thirrja mbetet e cunguar dhe krijon hapësirë për pasiguri,” theksoi Koci.

Ai kërkoi që shteti të shoqërojë paralajmërimet me masa konkrete, duke përfshirë:

ofrimin e rrugëve alternative të sigurta dhe të përballueshme për diasporën;

garanci për mbrojtje konsullore të menjëhershme në rast të ndalimeve;

koordinim të ngushtë me shtetet mike për monitorimin e situatës;

masa reciproke në përputhje me të drejtën ndërkombëtare;

presion diplomatik të vazhdueshëm për të ndalur praktikat e autoriteteve serbe.

“Një shtet serioz vepron me qetësi, plane dhe përgjegjësi. Pa u tërhequr, pa u frikësuar, pa u përkulur,” u shpreh avokati.

Koci theksoi se Kosova ka ecur përpara jo duke mbyllur rrugë, por duke krijuar mundësi dhe duke mbrojtur secilin qytetar të saj.

“Në fund të ditës, patriotizëm nuk është me i trembë njerëzit. Patriotizëm është me i mbrojtë,” përfundoi ai.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës tha se pasi ka marrë informacionin për arrestimin e shtetasit të Kosovës, Avni Qenaj, nga Serbia i është drejtuar Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë me kërkesë zyrtare për konfirmimin e arrestimit, arsyet e ndalimit dhe vendndodhjen aktuale të tij.

Qenaj, që u arrestua sot, sipas Organizatës të Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është nga fshati Romajë i Prizrenit dhe kishte shërbyer në brigadën 138 “Agim Ramadani” në Koshare.

MPJD tha se po ashtu për këtë rast e ka njoftuar delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi “duke kërkuar monitorim të shtuar dhe transparencë të plotë nga autoritetet serbe në lidhje me procedurat e ndërmarra”.

“Gjithashtu është dërguar tashmë notë verbale te misionet diplomatike të vendeve të QUINT-it të akredituara në Serbi, me qëllim sigurimin e angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë në mbrojtje të të drejtave dhe sigurisë së shtetasit të Republikës së Kosovës”, tha MPJD.

Kjo ministri shtoi se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi do të bëjë kërkesë zyrtare për lejimin e vizitës së Qenajt, “sapo të konfirmohet lokacioni i saktë ku ai po mbahet”.

“Edhe njëherë, MPJD i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të rrisë vigjilencën dhe presionin ndaj autoriteteve të Serbisë, e cila vazhdon praktikën e keqtrajtimit dhe intimidimit të shtetasve të Republikës së Kosovës, duke cenuar kështu normat dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, u tha në njoftim.

Ndërkaq, nënkryetari i OVL të UÇK-së, Gazmend Syla, tha më herët gjatë ditës për Radion Evropa e Lirë se autoritetet serbe i gjetën Qenajt kartelën e anëtarësisë së veteranit.

“Ai është arrestuar dhe sipas informacioneve që kemi, me gjasë ia kanë gjetur kartelën e anëtarësisë së veteranit që e kemi, në xhep kur e kanë kontrolluar. Ndërkaq, sipas informacioneve që morëm ne, Qenaj kishte kaluar dy-tri herë andej [nëpër Serbi] dhe nuk ka pasur ndonjë problem”, tha Syla për Radion Evropa e Lirë.

Më herët gjatë 25 nëntorit, Ministria për Punë të Brendshme të Serbisë tha se është arrestuar një ish-pjesëtar i UÇK-së, të cilin e identifikoi vetëm me inicialet A.Q.

Sipas kësaj ministrie, ai dyshohet se gjatë luftës në Kosovë ka kryer veprën penale të organizimit të një grupi dhe nxitjen për kryerjen e gjenocidit dhe krimeve të luftës.

Në njoftim pretendohet se i dyshuari në prill të vitit 1998 i është bashkuar shtabit lokal të UÇK-së për fshatin Romajë në komunën e Prizrenit dhe se si pjesëtar i brigadës 138 “Agim Ramadani” ka marrë pjesë në sulmin ndaj posti kufitar serb në Koshare në vitin 1999.

Të dyshuarit A.Q. (1973) i është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh dhe MPB-ja serbe shtoi se në prokurorinë kompetente ndaj tij do të dorëzohet një kallëzim penal.

Viteve të fundit, në Serbi janë arrestuar disa qytetarë të Kosovës, të cilët Beogradi pretendon se kanë kryer krime të luftës./Telegrafi/