Avokati i Popullit: Kam kërkuar nga Qeveria e RMV-së të harmonizojë ligjet, provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe

Ligji për gjuhën shqipe duhet të zbatohet siç duhet duke i mundësuar kandidatëve të japin provimin e Jurisprudencës në gjuhën amtare dhe jo të diskriminohen mbi bazën e gjuhës amtare. Kështu është shprehur më prezantimin e parë publik Avokati i Popullit, Faton Selami, me rastin e publikimit të Raportin e punës për vitin e kaluar, megjithëse potencoi se ka dorëzuar iniciativën për implementim konkret dhe të detyrueshëm të Ligjit të gjuhëve, pasi deri tani, ligjet nuk janë zbatuar.
Avokati i Popullit, shtoi ai, duhet të rrisë besimin dhe të ngrejë iniciativa, siç është ajo që drejtuesi i ri i këtij institucioni i ka dorëzuar qeverisë për implementimin konkret të Ligjit për gjuhën shqipe.
“I jam drejtuar Ministrisë së Drejtësisë dhe Inspektoratit të gjuhës dhe konstatova se në zgjedhjet ligjore ekzistuese nuk ka mundësi për dhënien e këtyre provimeve në gjuhën shqipe. Gjë që krijon probleme faktike dhe juridike për kandidatët që kanë studiuar në gjuhën shqipe. Kështu për tejkalimin e situatës që ekziston duke mosimpelmentuar Ligjin e gjuhëve iu drejtuam Qeverisë për të bërë ndryshimet dhe plotësimet e nevojshme për harmonizimin e zgjidhjeve ligjore që rregullojnë këto provime, duke iu mundësuar kandidatëve që të japin provimin në gjuhën amtare, pasi konsiderojmë se kemi të bëjmë me diskriminim, diskriminim indirekt mbi bazën e gjuhës”, ka thënë Selami.
Selami raportoi për punën e bërë vitin e kaluar dhe tha se Avokati i Popullit, duke vepruar në rastet e femicidit, vuri re mangësi në reagimin e institucioneve kompetente, të cilat, sipas tij, më shpesh nuk ishin në kohë.
"Prandaj, është e nevojshme të sigurohet parandalimi dhe monitorimi sistematik i koordinuar i familjeve me sjellje të rrezikshme, si dhe të krijohen mekanizma që mundësojnë ndërhyrjen e hershme dhe mbrojtjen e fëmijëve dhe anëtarëve të tjerë të familjes, edhe kur viktima nuk paraqet zyrtarisht një raport", theksoi ai.
Avokati i Popullit tha se stafi që punon për këtë çështje, si në Ministrinë e Punëve të Brendshme ashtu edhe në qendrat për punë sociale, duhet të trajnohet gjithashtu. Sipas Selami, qëllimi është që të njihen dhe të veprohet menjëherë ndaj raporteve të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, me qëllim parandalimin e femicidit dhe mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së qytetarëve./Telegrafi/



















































