Audi RS3 dhe RS5 me goma të reja Pirelli

Audi RS3 dhe RS5 janë pajisur me versione të reja gomash Pirelli, të dizajnuara posaçërisht për këto modele dhe të zhvilluara në pistën legjendare të Nürburgringut.
Këto goma të reja janë krijuar për të ofruar një ekuilibër mes përdorimit të përditshëm dhe performancës në pistë, me fokus të veçantë në kapje më të mirë (grip) dhe distanca më të shkurtra frenimi.
Ato janë rezultat i më shumë se 25 viteve bashkëpunim mes Pirelli dhe Audi Sport, gjatë të cilave janë zhvilluar zgjidhje të personalizuara për makinat sportive të Audis.

Zhvillimi është realizuar në qendrën kërkimore të Pirellit në Gjermani, në Breuberg, në bashkëpunim me selinë qendrore të kompanisë në Milano. Inxhinierët janë fokusuar kryesisht te përbërja e gomës, duke shfrytëzuar përvojën e fituar nga motorsporti.
Qëllimi i gomave të reja është të transmetojnë sa më mirë fuqinë e motorëve të fuqishëm të Audis në rrugë, duke rritur stabilitetin dhe kapjen, veçanërisht në kushte të ngarkesës së lartë.
Ato janë zhvilluar si pjesë e programit “Perfect Fit” të Pirellit, që synon përshtatjen e plotë të gomave me çdo model specifik të makinës.
Ky bashkëpunim i gjatë mes Pirelli dhe Audi Sport vazhdon të evoluojë, me synimin për të përmirësuar performancën e modeleve më të fuqishme të Audi-t si në rrugë ashtu edhe në pistë. /Telegrafi/


















































