Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar Indeksin e Çmimeve të Inputeve dhe Çmimet në Bujqësi për periudhën 2020–2025, duke raportuar rritje të indeksit të përgjithshëm të inputeve bujqësore në vitin 2025.

Sipas ASK-së, indeksi vjetor i çmimeve të inputeve në bujqësi për vitin 2025, krahasuar me vitin 2024, është rritur për 1,1 për qind për mallrat dhe shërbimet aktualisht të konsumuara në bujqësi (Input 1), ndërsa për mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet bujqësore (Input 2) rritja është 2,4 për qind. Indeksi i përgjithshëm i inputeve ka shënuar rritje prej 1,7 për qind.


Në krahasim me vitin 2020, ASK raporton se indeksi i çmimeve të inputeve në bujqësi ka shënuar rritje të konsiderueshme. Për Input 1 rritja është 28,5 për qind, për Input 2 rritja është 59,5 për qind, ndërsa indeksi i përgjithshëm i inputeve është rritur për 42,0 për qind, përcjell Telegrafi.

Produktet që përbëjnë bazën e indeksit të çmimeve të inputeve janë të ndara në dy grupe kryesore: mallrat dhe shërbimet aktualisht të konsumuara në bujqësi, si farërat, plehrat, energjia, produktet për mbrojtjen e bimëve, shpenzimet veterinare dhe ushqimi për kafshë, si dhe mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet bujqësore, përfshirë makineritë, pajisjet dhe ndërtesat e fermave.

ASK thekson se të dhënat janë grumbulluar nga barnatoret bujqësore, farmacitë veterinare, kompanitë, tregjet dhe burime të tjera ku çmimet e inputeve bujqësore janë në dispozicion.

Për më shumë informata lidhur me Indeksin e Çmimeve të Inputeve dhe Çmimet në Bujqësi për periudhën 2020–2025, ASK rekomandon vizitimin e uebfaqes zyrtare të institucionit. /Telegrafi/