LAJMI I FUNDIT:

ASH i propozon Qeverisë masa kundër krizës

ASH i propozon Qeverisë masa kundër krizës

Aleanca për Shqiptarët (ASH) ofroi masa konkrete për zbutjen e situatës në vend. Ata propozojnë që të gjithë institucionet arsimore të furnizohen me energji elektrike nga furnizuesi i shërbimit universal.

“Të gjitha shkollat fillore, të mesme, fakultetet, si dhe institucionet e tjera arsimore të furnizohen me energji elektrike nga furnizuesi i shërbimit universal, e jo në tregun e lirë apo edhe në rastin më të keq nga furnizuesi i mundësisë së fundit.

Të gjitha spitalet, institucionet shëndetësore dhe ato për përkujdesje sociale e të pleqve, Aleanca për Shqiptarët propozon që të furnizohen me energji elektrike nga furnizuesi i shërbimit universal, pavarësisht kritereve që janë vendosur për t’u furnizuar në tregun e lirë apo në rastin më të keq nga furnizuesi i mundësisë së fundit .


Ndriçimi publik i pushtetit lokal (komunave), ndërmarrjet komunale e shtetërore me status të rënduar financiar, gjithashtu të furnizohen me energji elektrike nga furnizuesi i shërbimit universal”, thuhet në deklaratën e ASH-së.

Çerdhet, kopshtet për fëmijë, konviktet e nxënësve dhe studentëve, pasi që i takojnë kategorisë familjare për faturim të energjisë elektrike të konsumuar, ku tani aplikohen fasha (blloqe) tarifore, e të njëjtët shumë shpejt kalojnë në fashën e katërt ku çmimi është më i lartë edhe nga ai që aplikohet për kategorinë konsumuese industriale, Aleanca për Shqiptarët kërkon për këto subjekte të pësojë ndryshime sistemi tarifor aktual dhe të miratohet një kategori e re konsumatore ku do të aplikohet vetëm një fashë (bllok) tarifore dhe çmimi të jetë në nivele të arsyeshme, më konkretisht ai që është aktual në fashën e dytë të kategorisë konsumuese familjare ku çmimi është 8,06 denarë (distribuimi + furnizimi).

Për gjigantët ekonomik e kompanitë e mëdha, Aleanca për Shqiptarët e fton Qeverinë që së bashku me këto subjekte të bashkërendojnë oraret e punës në kohën kur kemi tepricë të energjisë elektrike, tepricë e cila të mos shitet përmes prokurimit publik, por e njëjta t’u ofrohet këtyre subjekteve me çmime më të volitshme nga ato që ofrojnë operatorët energjetik në tregun liberal.

Nga ASH i bëjnë thirrje Qeverisë së RMV-së, që sa më shpejt që të jetë e mundur, t’i marr parasysh këto propozime konkrete me qëllim që të zbuten sado pak efektet dhe pasojat negative me të cilat po përballen këto subjekte ekonomike e shoqërore gjatë kësaj krize ekonomike dhe energjetike./Telegrafi/