Policia e Kosovës ka arrestuar një burrë në fshatin Osek Pashë të Komunës së Gjakovës, nën dyshimet për ushtrim të dhunës psikike dhe kanosje ndaj bashkëshortes së tij, tek i cili janë konfiskuar edhe armë.

Gjatë hetimeve lidhur me këtë rast të dhunës në familje, policia ka siguruar informacione shtesë që çuan në dyshimin se i njëjti posedonte armë pa leje.


Si rezultat, është kryer një kontroll në banesën e të dyshuarit, ku janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike e llojit AK-47 me dy karikatorë dhe 566 fishekë, si dhe një pistoletë me tre karikatorë dhe 31 fishekë.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj tij është hapur rast penal për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. /Telegrafi/