LAJMI I FUNDIT:

Arrestohen katër persona të dyshuar për vjedhjen e gjësendeve me vlerë 70 mijë euro në një market në Prishtinë

Arrestohen katër persona të dyshuar për vjedhjen e gjësendeve me vlerë 70 mijë euro në një market në Prishtinë
Foto: Arkiv

Katër persona janë arrestuar gjatë të martës, të cilët dyshohet se kanë vjedhur gjësende me vlerë rreth 70 mijë euro në një market në lagjen Veterrnik të Prishtinës.

Rasti i vjedhjes ka ndodhur më 06 tetor nga tre persona, kurse një prej tyre është arrestuar për armëmbajtje pa leje.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.


“Nga hetuesit policor të Njësitit të Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, sot janë arrestuar katër persona të dyshuar. Për tre nga ta ekziston dyshimi i arsyeshëm të jenë të përfshirë në një rast të vjedhjes së rëndë ndërsa i katërti është arrestuar për posedim të paautorizuar të armëve. Rasti i vjedhjes ka ndodhur me datën 06.10.2020 në lagjen Veterrnik në Prishtinë, saktësisht në një market, ku janë vjedhur gjësende në vlerë rreth 70.000 euro. Personat e dyshuar : F.A. (mashkull) 2000, B.A. (mashkull) 1995, M.G. (mashkull) 1996 pas arrestimit me autorizim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, tha Ahmeti.

Po ashtu ajo bëri të ditur se ndërkohë që hetuesit policor po punojnë në kapjen e personit të tjetër  të dyshuar, i cili është identifikuar nga ana e policisë dhe aktualisht ndodhet në arrati.

“Hetuesit policor në kuadër të këtij aksioni, kanë kryer tri bastisje në tri lokacione të ndryshme dhe në njërin prej tyre kanë gjetur dhe sekuestruar katër armë zjarri. Për armëmbajtje pa leje është dërguar në mbajtje i dyshuari H.A mashkull (1972). Aktualisht për procedim të mëtejmë të rastit, hetuesit policor janë duke punuar në koordinim me prokurorinë përkatëse”, u shpreh Ahmeti. /Telegrafi/