Arkitekti amerikan pranoi se ka vrarë tetë gra

I dyshuari për vrasje serike në Long Island të New Yorkut, Rex Heuermann, pranoi sot në gjyq se ka vrarë tetë gra gjatë tre dekadave.
Gjatë seancës të mërkurën, arkitekti amerikan foli për vrasjet e grave, duke konfirmuar se ka copëtuar trupat e disa viktimave dhe ka lidhur të tjerat për kokë dhe këmbë.
Arkitekti 62-vjeçar gjendet në paraburgim që nga korriku i vitit 2023 dhe më parë kishte mohuar fajësinë për vrasjen e shtatë grave, përfshirë katër trupat e të cilave u gjetën në plazhin Gilgo në vitin 2010, sipas raportimeve të CNN.

Pas pranimit të fajësisë, ai pritet të marrë dënim me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht.
Ky pranimi i fajësisë shënon përfundimin e një rasti që daton nga viti 1993 dhe për zgjidhjen e të cilit hetuesit kanë punuar dekada të tëra.

Rasti nisi me zhdukjen e 23-vjeçares Shannan Gilbert në vitin 2010, dhe kërkimi për të çoi në gjetjen e të paktën dhjetë pjesëve të ndryshme njerëzore, duke nisur një hetim për të gjetur një vrasës serik të dyshuar.
Në vitin 2022, Qarku Suffolk krijoi një grup pune multi-agjenciale për rivlerësimin e vrasjeve dhe shpejt ndërtuan një rast kundër Heuermann duke përdorur prova si ADN, flokë, regjistrime të telefonave celularë dhe dëshmi.
Ai u arrestua në korrik 2023 dhe u akuzua për vrasjet e tre viktimave, ndërsa prokurorët më pas e akuzuan edhe për katër vrasje të tjera që datojnë që nga viti 1993. /Telegrafi/



















































