Sulmuesi i Manchester United, Antony ka ndërmarrë veprime ligjore ndaj ish-klubit të tij Ajaxit sipas raportimeve të fundit. 

Reprezentuesi brazilian u transferua tek Unitedi nga Ajaxi për shumën e 85 milionë eurove në verën e 2022. 


Ai u soll në ‘Old Trafford’ nga ish-trajneri i tij tek Ajaxi, Erik Ten Hag dhe përkundër disa paraqitjeve të tij të mira, koha e tij në Mançester nuk ka qenë e suksesshme. 

Por teksa ka thashetheme të shumta për të ardhmen e tij, e përditshmja holandeze Algemeen Dagblad ka raportuar se ai është futur në një betejë ligjore me Ajaxin. 

Është bërë e ditur se kjo ka të bëjë me gjobat që braziliani kishte marrë shkaku i mungesës së tij në disa seanca stërvitore dhe në një ndeshje të kampionatit, para se të transferohej tek ‘Djajtë e Kuq’. 

Ky raportim dyshon se Antony ka nisur një çështje arbitrazhi, ku këtu e ka konfirmuar edhe një zyrtar nga komiteti i arbitrazhit në Federatën e Futbollit të Holandës, duke konfirmuar se procesi ka nisur të hënën. 

Gjithmonë sipas mediave holandeze, Antony dëshiron t’i rikthehen paratë nga Ajaxi pasi ai beson se gjobat ishin vënë në mënyrë të paligjshme. 

Ajaxi kishte refuzuar dy oferta për Antonyn nga Unitedi në 2022, duke e detyruar atë që ta pranojë  publikisht se dëshiron të largohet nga gjiganti holandez./Telegrafi/

telegrafi sport app