Anëtarë të Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve kërkojnë përditësime nga Pentagoni mbi përdorimin e inteligjencës artificiale

Anëtarë të Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve kanë kërkuar përditësime nga Pentagoni mbi atë se nëse po e përdorin inteligjencën artificiale në mbrojtjen ndaj kërcënimeve në rritje nga Kina dhe armiqtë e tjerë.
Komiteti publikoi të hënën propozimin e tij vjetor për projekt-ligjin e politikës së mbrojtjes të njohur si Akti i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare, i cili do të shqyrtohet nga nënkomitete të ndryshme duke filluar nga e marta.
Sipas një raporti të Fox News, seksioni i projektligjit që trajton teknologjinë kibernetike dhe informacionin u shoqërua me disa kërkesa për përditësime mbi përpjekjet e Departamentit të Mbrojtjes për të përfshirë inteligjencën artificiale në sektorin e saj të sigurisë kombëtare, transmeton Telegrafi.
Një nga këto kërkesa lidhet direkt me Kinën, të cilën komiteti tha se ka një rritje të prezencës në ujërat e diskutueshëm në gjithë botën, gjë që e kërcënon sigurinë kombëtare të SHBA-ve.
"Komiteti është gjithnjë e më i shqetësuar për aftësinë e Shteteve të Bashkuara për t'iu kundërvënë këtij kërcënimi për shkak të hapësirës së madhe të mjedisit detar", thuhej në tekst.
"Ndërgjegjësimi për Domenin Detar (MDA), i drejtuar nga inteligjenca artificiale (AI), do të rrisë aftësinë e Marinës për të monitoruar mjedisin detar, për të rritur aktivitetet e planifikimit strategjik dhe për të ekspozuar kërcënimet në zhvillim përmes procesit të identifikimit të kërcënimit të mundshëm", vazhdonte shkrimi brenda tekstit.
Komiteti i kërkoi Departamentit të Mbrojtjes që të informojë anëtarët e tij mbi këtë çështje deri në shkurtin e ardhshëm mbi përdorimin aktual të "sistemeve MDA të drejtuara nga inteligjenca artificiale" dhe se cilat janë mënyrat e tjera që inteligjencës artificiale mundet të ndihmojë Marinën të vlerësojë shpejt trafikun detar dhe të përcaktojë kërcënimet e mundshme.
Ligjvënësit në komitet thanë se Pentagoni duhet të përdorë gjithashtu inteligjencën artificiale për të ndihmuar luftëtarët të zbulojnë dhe analizojnë sinjalet në spektrin elektromagnetik (EMS) që mund të tregojnë taktikat e luftës kibernetike dhe elektronike. /Telegrafi/













































