Analisti dhe gazetari nga Mali i Zi, Ljubomir Filipoviq thotë se mediet ruse po e ndjekin narrativën shtetërore të Kremlinit kur është fjala për Kosovën.
Siç thotë Filipoviq, e gjithë kjo e bazuar në propagandën shtetërore serbe.
Sipas tij, përjashtim bëjnë redaksitë e medieve perëndimore në gjuhën ruse, të cilat raportojnë në mënyrë të besueshme për ngjarjet në botë.
“Mediet ruse përgjithësisht ndjekin narrativen zyrtare shtetërore ruse kur bëhet fjalë për Kosovën. Ajo narrativë, sërish, i merr informacionet nga narrativa dhe propaganda zyrtare shtetërore serbe. Që nga fillimi i agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, skena mediatike ruse është bërë edhe më jo e lirë, dhe të gjithë zërat disidentë, të cilët ishin të paktë edhe para luftës, tashmë janë margjinalizuar plotësisht. Pra, është shumë e vështirë, pothuajse e pamundur të hasësh informacione të besueshme në gjuhën ruse për atë që po ndodh në Kosovë, veçanërisht gjatë situatave të krizës dhe tensioneve në rritje”, thotë Filipoviq në një shkrim për The Geopost.
Ai përmend edhe zhvillimet në veri të vendit, për çka thekson se nga disa media serbe dhe ruse barrikadat janë përdorur për propagandë, duke e vendosur lajmin në kontekste të ndryshme.
“Mediet ruse në dhjetor janë marrë me barrikadat në veri të Kosovës, operacionet e policisë së Kosovës, duke e vendosur lajmin në kontekste të ndryshme, varësisht nga politika editoriale e shtëpisë mediatike. Është një fenomen interesant që mediet e mëdha raportojnë se përpiqen të mbajnë një ton neutral, ndërkohë që portalet më të vogla dhe më margjinale të qytetit në Moskë ftojnë analistë dhe politologë, të cilët promovojnë më hapur dhe me zë të lartë narrativët propagandistike të përfaqësuara nga Beogradi dhe Moska zyrtare”, shton ai.
Filipoviq rendit disa nga rastet kur propaganda ka qenë tejet e dukshme.
“Kështu, gazetarja e Moskva24, Margarita Martovskaya, duke raportuar për krizën e fundit të 12 dhjetorit, zgjedh titullin tendencioz të shkrimit ‘Të shtrëngojmë kursin. Çfarë përfitimesh ka Perëndimi nga konflikti ndërmjet Serbisë dhe Kosovës’, duke iu referuar komenti i shkencëtarit politik rus Andrei Koshkin, kreu i Departamentit të Sociologjisë dhe Shkencave Politike në universitetin ekonomik Plekhanov në Moskë. Koshkin promovon tezën se Perëndimi po përdor Kosovën për të bërë presion ndaj Rusisë. Në një furi propagandistike, Koshkin pretendon se NATO po përpiqet të fshehë humbjet e saj në Ukrainë përmes Kosovës dhe se Perëndimi, ‘i vetëdijshëm se Ukraina nuk do të zgjasë’, po hap një front tjetër në Evropë: Për të parandaluar këtë, NATO po nxit një luftë në Ballkan, veçanërisht në Serbi dhe Kosovë. Nuk është e vështirë të ndizet një konflikt në shkallë të gjerë atje. Sigurisht, Rusia do të avokojë për Serbinë Ortodokse dhe vëmendja e saj do të devijohet (ridrejtuar nga Ukraina në Ballkan). Perëndimi beson se kjo do ta ndalë Rusinë në rrugën drejt një fitoreje përfundimtare në Ukrainë”, thekson Filipoviq.
Në fund, ai shprehet se ndonjëherë edhe mungesa e informacionit dhe mosnjohja e gjuhës bëjnë që dezinformatat të përhapen në mënyrë të pavetëdijshme.
Derisa kujton edhe lajmet tjera propaganduese se gjoja “Kosova po armatoset dhe po përgatitet për luftë”. /The Geopost/