Zyrtare: Patrick Vieira përzgjedhës i Senegalit
Patrick Vieira është emëruar përzgjedhësi i ri i Senegalit, duke marrë për herë të parë në karrierën e tij drejtimin e një kombëtareje.
Federata Senegaleze e Futbollit (FSF) e konfirmoi të martën emërimin e ish-mesfushorit francez, i cili ka lindur në Dakar të Senegalit. Vieira do të pasojë Pape Thiaw, i cili u largua nga posti pas eliminimit nga Kampionati Botëror i këtij viti në fazën e 1/16-ve.
“Zotëri Patrick Vieira është trajneri i ri i kombëtares së Senegalit. Data e prezantimit zyrtar dhe hapat e ardhshëm për emërimin e tij do të bëhen të ditur në një njoftim të mëvonshëm”, thuhet në njoftimin e FSF-së.
50-vjeçari do të marrë drejtimin e një kombëtareje për herë të parë, pas eksperiencave të tij në klubet e Anglisë, Francës dhe Italisë.
Vieira ka drejtuar Crystal Palace në Ligën Premier, ndërsa në Francë ka qenë trajner i Nice dhe Strasbourg. Ai pati gjithashtu një eksperiencë të shkurtër në Itali, ku drejtoi Genoan në Serie A.
Monsieur Patrick Vieira est le nouvel entraîneur de l’équipe nationale A du Sénégal. La date de la présentation officielle et les prochaines étapes de son installation feront l’objet d’une communication ultérieure.
Bienvenue au Sénégal, Coach ✅ pic.twitter.com/eJca5zNXkn
— Equipe du Sénégal (@GaindeYi) August 18, 2026
Ish-mesfushori është një prej lojtarëve më të suksesshëm në historinë e Francës. Vieira ishte pjesë e skuadrës që fitoi Kupën e Botës në vitin 1998 dhe Kampionatin Evropian në vitin 2000. Ai zhvilloi më shumë se 100 paraqitje me fanellën e Francës.
Në nivel klubesh, Vieira njihet më së shumti për periudhën e tij te Arsenali, ku zhvilloi mbi 400 ndeshje dhe fitoi tre tituj të Ligës Premier.
Detyrat e tij të para me Senegalin do të nisin gjatë grumbullimit të ardhshëm të kombëtareve, ndërsa kampionët e Kupës së Kombeve të Afrikës të vitit 2021 do të fillojnë përgatitjet për edicionin e vitit 2027. Kualifikimet për këtë turne pritet të nisin që në muajin shtator./Telegrafi/


