Zyrtare: Besart Krivanjeva rikthehet te Gjilani
Mbrojtësi qendror Besart Krivanjeva ka zyrtarizuar rikthimin e tij te Gjilani pas dy vitesh largim, duke filluar kështu një kapitull të ri me klubin gjilanas.
Krivanjeva është një lojtar me eksperiencë të konsiderueshme, i cili në të kaluarën ka veshur fanellat e klubeve të njohura si Metalurgu, Shkupi dhe Egnatia.
Dy sezonet e fundit ai i ka kaluar te Struga, ku u bë një prej mbrojtësve kyç të skuadrës. Rikthimi i tij në Gjilan pritet të forcojë ndjeshëm linjën e mbrojtjes së skuadrës.
Klubi gjilanas ka arritur më parë marrëveshje edhe me një tjetër mbrojtës të rëndësishëm, Mevlan Adilin, duke krijuar kështu një konkurrencë të fortë për këtë pozicion.
Përveç kësaj, në mesfushë është përforcuar edhe me Lorik Boshnjakun, një lojtar i cili pritet të japë shumë në organizimin e lojës.
Gjilani ka ruajtur bazën e ekipit nga sezoni i kaluar, me shumë prej titullarëve që do të vazhdojnë të jenë pjesë e skuadrës. Klubi synon të jetë konkurrues në të gjitha frontet dhe po punon intensivisht për të përforcuar edhe më tej ekipin për sezonin e ri. /Telegrafi/


