Zylfiqar Zejnulla zgjidhet ministër pa resor, përfundon riorganizimi i Qeverisë
Rikonstruimi i Qeverisë mori miratimin përfundimtar në Kuvend, ku sot u zgjodh ministri i ri pa resor, Zylfiqar Zejnulla, kryetar i Partisë Demokratike të Turqve.
Zgjedhja e Zejnulla vjen pas marrëveshjes së koalicionit mes partisë së tij dhe OBRM-PDUKM-së, me ç’rast deputeti Bejxhan Iljas, i zgjedhur nga lista e Frontit Evropian të udhëhequr nga BDI, iu bashkua shumicës qeverisëse.
Me këtë hap, koalicioni i udhëhequr nga OBRM-PDUKM tani ka 59 deputetë, pa përfshirë deputetët e partnerëve të koalicionit qeverisës, VLEN dhe ZNAM.
Zgjedhja e Zejnulla u nda nga rikonstruimi i mëparshëm i Qeverisë, pasi përfshirja e tij në të njëjtin paketë do të tejkalonte kufirin kushtetues për ndryshimin e më së shumti një të tretës së ministrave. Në një rast të tillë do të aktivizohej procedura për zgjedhjen e një qeverie të re.
Kryeministri Hristijan Mickoski kërkoi mbështetjen e deputetëve për zgjedhjen e tij, duke theksuar se institucionet duhet të drejtohen nga njerëz që kanë përgjegjësi dhe kapacitet për të zgjidhur problemet e qytetarëve.
“Nevojitet një politikë që bashkon, e jo që krijon hendekë të rinj”, deklaroi Mickoski gjatë arsyetimit të propozimit.
Nga opozita u vlerësua se vendimtare duhet të jenë cilësitë dhe vizioni i kandidatit, e jo përkatësia etnike, duke shtuar se zgjedhja është rezultat i marrëveshjeve politike.
Sipas biografisë së tij, Zylfiqar Zejnulla ka përvojë shumëvjeçare në administratën publike dhe sektorin e sigurisë. Nga viti 2021 deri në vitin 2024 ai ka qenë zëvendësdrejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, ndërsa më herët ka qenë këshilltar në Këshillin e Komunës së Gostivarit dhe ka punuar në sektorin juridik të Partisë Demokratike të Turqve.
Zejnulla është i diplomuar në kriminalistikë në Fakultetin e Sigurisë pranë Universitetit “Shën Klimenti i Ohrit” në Manastir. Përveç gjuhës turke, ai flet edhe maqedonisht, shqip, gjermanisht dhe serbisht.


