Zvarriten punimet në “Minatori”
Sipas projektit është paraparë të investohen afro 2 milionë euro në sallën e sporteve “Minatori” dhe pjesët e tjera. Megjithatë punimet në palestër janë zvarritur tej mase duke i shkaktuar jo pak probleme ekipeve mitrovicase të cilat i zhvillonin aktivitetet e tyre në këtë palestër.
Drejtori për Urbanizëm dhe Planifikim nga komuna e Mitrovicës, Mehdi Bala, ka thënë se i gjithë projekti është i udhëhequr dhe mbikëqyrur nga Komisioni Evropian dhe se komuna nuk ka kompetenca për ndërhyrje në këtë projekt.
“Investimi në rinovimin e palestrës sportive “Minatori” ka ardhur në pako nga Komisioni Evropian së bashku me projektin për ndërtimin e qendrës shumëfunksionale dhe si i tillë është nën mbikëqyrjen e tij. Komisioni Evropian ka kontraktuar kompaninë për kryerjen e punimeve, e cila është nga Portugalia dhe komuna në këtë rast është vetëm një vëzhgues”, tha Bala.
“Projekti është jashtëzakonisht i mirë dhe do ta shndërrojë “Minatorin” në një prej palestrave më moderne në rajon. Është paraparë të investohet në çdo detaj, duke filluar nga zhveshtoret, ngrohjet, klimatizimi dhe pjesa e tribunave”, shtoi ai. Por punimet kanë ngecur dhe askush s’e di kur do të përfundojnë.
“Është e vërtetë se punimet kanë ngecur, por punëkryesit janë zotuar që punimet do t’i përfundojnë me afat dhe në rast se nuk ndodh një gjë e tillë, sipas ligjeve të Kosovës në fuqi, ata mund të gjobiten deri në 10% të shumës së kontratës. Na kanë premtuar se punët duhet të kryhen në mars të vitit të ardhshëm, por ka pak gjasa të arrihet kjo”.
Manuel Veiga, menaxher i projektit ka thënë se përkundër vonesave punimet janë duke shkuar mirë.
“Besojmë se gjithçka do të përfundohet kah fundi i marsit ashtu siç edhe është paraparë. Kemi pas pak vonesa për shkak të motit pjesërisht dhe disa problemeve teknike me aklimatizim, por tashmë çdo gjë është duke shkuar mirë. Ne jemi mjaft të kënaqur me ambientin, njerëzit dhe mikpritjen që na është bërë”, ka thënë Veiga.
E Trepça thotë se nuk e di kur do të kthehet në “shtëpi”. “Zyrtarisht nuk kemi marrë asnjë datë të saktë se kur do të kryhen punimet. Megjithatë, jozyrtarisht, kemi mësuar se punimet pritet të përfundojnë kah fundi i marsit të vitit të ardhshëm.
Them të drejtën, mungesa e palestrës ka ndikuar jashtëzakonisht keq për të gjitha kategoritë e KB Trepçës. Kushtet në të cilat aktualisht është duke stërvitur ekipi senior janë të mjerueshme. Madje stërvitje nuk kemi fare vetëm takohemi prej lojës në lojë”, ka thënë zyrtari i Trepçës, Ilir Selmani. /Zëri/Telegrafi/


