Zgjatet afati, fermerët kanë edhe 10 ditë kohë për të aplikuar për Pagesat Direkte 2026
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) ka vendosur të zgjasë edhe për 10 ditë afatin për aplikim në Programin e Pagesave Direkte 2026, duke u dhënë mundësi fermerëve që ende nuk kanë aplikuar të përfundojnë procedurat e nevojshme.
Sipas vendimit të ministrit, afati shtesë ka hyrë në fuqi më 22 korrik dhe do të zgjasë deri më 31 korrik 2026, në ora 16:00. Aplikimet vazhdojnë të dorëzohen në Drejtoritë Komunale për Bujqësi në komunat përkatëse.
MBPZhR njofton se Programi i Pagesave Direkte 2026 është ridizajnuar në përputhje me harmonizimin gradual me Politikat e Përbashkëta Bujqësore të Bashkimit Evropian (CAP) dhe përfshin katër shtylla kryesore të mbështetjes: Pagesën Bazë për të Ardhura sipas Sipërfaqes, Pagesat Rishpërndarëse, Pagesat e Lidhura me Prodhimin dhe Cilësinë, si dhe Eko-Skemat për prodhimin organik dhe praktikat e qëndrueshme bujqësore.
Ministria u ka bërë thirrje fermerëve që ende nuk kanë aplikuar të shfrytëzojnë afatin shtesë dhe të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm sipas kategorisë për të cilën kërkojnë mbështetje.
Po ashtu, MBPZhR rikujton se kriteret e pranueshmërisë dhe dokumentacioni ndryshojnë sipas sektorëve dhe masave mbështetëse, ndërsa gjatë kontrolleve administrative dhe atyre në terren do të zbatohen dispozitat e Udhëzimit Administrativ Nr. 02/2026 për Pagesat Direkte në Bujqësi.
Për informata shtesë, fermerët mund t'i drejtohen Ministrisë, Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB) ose Drejtorive Komunale për Bujqësi. /Telegrafi/


