Please enter at least 3 characters.

Zelensky: Putini nuk ka frikë nga evropianët, por vetëm nga Donald Trump

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në një intervistë për televizionin francez France 2, deklaroi se pasojat e luftës me Rusinë përbëjnë një kërcënim serioz për ekzistencën e shtetit ukrainas, por shprehu besimin se paqja mund të arrihet brenda një viti.

Ai tha se presidenti rus Vladimir Putin nuk ka frikë nga udhëheqësit evropianë, por sipas tij, frikësohet vetëm nga presidenti amerikan Donald Trump.

Sipas Zelenskyt, kjo është një fakt i padiskutueshëm, duke shtuar se “çfarëdo që Trump t’i thotë Putinit, nuk është çështja jonë”.

Zelensky rikujtoi gjithashtu se Trump ka shprehur dëshirën për t’i dhënë fund luftës përmes një kompromisi. Ukraina, tha ai, mbështet iniciativat amerikane për paqe, por nuk do të pranojë asnjë kompromis që cenon sovranitetin e saj.

Në fjalimin e tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zelensky theksoi edhe një herë se vetëm demokracia nuk mjafton për ta ndalur Putinin, pasi ai nuk respekton rregullat dhe parimet e luftës.

Në intervistë, presidenti ukrainas kritikoi gjithashtu mungesën e presionit të mjaftueshëm ndaj Moskës, duke nënvizuar se çdo dialog me Rusinë duhet të zhvillohet mbi kushte të qarta, në mënyrë që të sjellë rezultate konkrete. /Telegrafi/