Please enter at least 3 characters.

Zbulohet teknologjia që “ngrin qelizat e kancerit deri në vdekje”: Trajtim revolucionar me MRI

Për herë të parë mjekët përdorin MRI për të ftohur dhe shkatërruar tumoret me saktësi milimetrike, duke kursyer pacientët nga operacionet e rënda dhe kohë të gjata rikuperimi.

Spitali i Liverpulit në Sydney ka prezantuar një teknologji të re inovative që u mundëson mjekëve të shkatërrojnë tumoret pa pasur nevojë për kirurgji klasike, duke përdorur metoda të avancuara të imazherisë dhe ngrirjes së indeve, raporton 9News Australia.

Bëhet fjalë për një procedurë të quajtur cryoablation (krioablacion), e cila përdor temperatura ekstremisht të ulëta për të shkatërruar qelizat tumorale. Gjatë kësaj procedure, një gjilpërë shumë e hollë (cryo-probe) futet drejtpërdrejt në tumor dhe, përmes gazit argon, krijon një të ashtuquajtur “top akulli” që ngrin dhe shkatërron indin e sëmurë, shpjegojnë mjekët e këtij spitali, transmeton 9News.

Ajo që e bën këtë teknologji veçanërisht të avancuar është fakti se procedura kryhet nën kontroll të drejtpërdrejtë të MRI-së, duke u mundësuar mjekëve të shohin në kohë reale përhapjen e ngrirjes dhe të mbrojnë strukturat dhe indet e shëndetshme përreth tumorit. “Ne mund ta shohim saktësisht se ku po formohet akulli dhe ta kontrollojmë trajtimin me precizitet ekstrem”, thekson stafi mjekësor i Liverpool Hospital, transmeton Telegrafi.

Sipas National Cancer Institute (NCI) të SHBA-së, krioablacioni është një metodë e pranuar e trajtimit lokal që përdor të ftohtin ekstrem për të shkatërruar qelizat kancerogjene dhe indin anormal, dhe përdoret veçanërisht te pacientët që nuk janë kandidatë të mirë për kirurgji të hapur ose për tumore të lokalizuara.

Edhe Mayo Clinic, një nga institucionet më prestigjioze mjekësore në botë, sqaron se krioablacioni realizohet duke vendosur gjilpëra speciale metalike shumë të holla në zonën e tumorit, të cilat ngrijnë indin përreth dhe çojnë në vdekjen e qelizave tumorale, ndërsa procedura konsiderohet minimalisht invazive dhe shoqërohet me kohë shumë më të shkurtër rikuperimi krahasuar me kirurgjinë klasike.

Sipas RadiologyInfo, platformë edukative e mbështetur nga shoqatat amerikane të radiologjisë, kjo teknikë kryhet nën udhëzim të imazherisë (MRI, CT ose ultratingull) dhe lejon trajtim shumë të saktë të tumoreve në organe si mëlçia, veshkat, mushkëritë, kockat dhe indet e buta.

9News raporton se në Liverpool Hospital kjo teknologji tashmë është përdorur edhe për tumore të shtyllës kurrizore dhe indeve të buta, ku pacientët kanë pasur lehtësim të shpejtë të dhimbjeve dhe janë kthyer në shtëpi brenda një kohe shumë të shkurtër, ndryshe nga rikuperimi pas operacioneve klasike.

Ekspertët theksojnë se avantazhet kryesore të kësaj metode janë:

• mungesa e prerjeve të mëdha kirurgjikale,
• rrezik më i ulët për komplikime,
• ruajtje më e mirë e indeve të shëndetshme,
• dhe rikuperim shumë më i shpejtë i pacientit.

Hapja e kësaj njësie moderne në Liverpool Hospital është pjesë e një projekti të madh shtetëror në New South Wales për zhvillimin e radiologjisë ndërhyrëse të avancuar, ku teknologjitë MRI, CT dhe angiografia integrohen në një ambient të vetëm, duke rritur ndjeshëm sigurinë dhe saktësinë e procedurave, konstaton qeveria e NSW në njoftimet e saj zyrtare. /Telegrafi/