Ylli i Senegalit para ndeshjes së parë në Botëror: Ëndrra ime është të bëhem lojtari më i mirë në botë
Sulmuesi anësor i Senegalit, Iliman Ndiaye, ka deklaruar se synon të hedhë hapin e radhës në karrierë dhe të garojë në nivelet më të larta të futbollit evropian.
Futbollisti i Evertonit, i cili që nga transferimi i tij në Merseyside në vitin 2024 është kthyer në një nga lojtarët më të dashur të tifozëve, ka reflektuar mbi sezonin 2025/26, të cilin e konsideron me ulje-ngritje.
"Sezoni ka shkuar mirë në përgjithësi, por personalisht mendoj se mund të kisha bërë më shumë. Fillimi ishte shumë i mirë, ndërsa pjesa e dytë nuk ishte në nivelin që prisja", tha Ndiaye.
Megjithëse ka pasur zëra se ngarkesa e madhe me ndeshje mund të ketë ndikuar në formën e tij, 26-vjeçari nuk e sheh lodhjen si arsye kryesore për rënien e performancës.
"Nuk besoj se bëhet fjalë për lodhje. Mendoj se skuadra në tërësi nuk ka qenë në nivelin më të mirë. Mund të flasim për individët, por kur ekipi nuk funksionon si duhet, është e vështirë të gjykosh nëse një lojtar ka qenë i lodhur apo jo".
Ndiaye shprehu gjithashtu dëshirën për të luajtur më shumë në arenën evropiane, duke theksuar se synon të provojë veten në garat më prestigjioze të kontinentit.
"Nuk mendoj se kam luajtur mjaftueshëm ndeshje. Kam marrë pjesë në Kupën e Kombeve të Afrikës, por për mua kjo nuk mjafton. Dua të luaj në Evropë, në Ligën e Kampionëve, dua të jem pjesë e të gjitha atyre sfidave të mëdha".
Karriera e senegalezit është karakterizuar nga këmbëngulja dhe kapërcimi i pengesave, por ai beson se ende nuk e ka arritur kulmin e potencialit të tij.
"Kur shoh rrugëtimin tim dhe gjithçka që kam kaluar, kam arsye të jem krenar. Por kjo nuk do të thotë se duhet të ndalem këtu. Kur arrin një nivel të caktuar, dëshiron të shkosh edhe më larg dhe të arrish gjëra më të mëdha".
Në prag të ndeshjes hapëse të Senegalit në Kupën e Botës 2026, Ndiaye theksoi se objektivi i tij më i madh mbetet i pandryshuar.
"Që kur kam qenë fëmijë, kam pasur të njëjtën ëndërr: të bëhem lojtari më i mirë në botë. Dua të fitoj trofe me klubin dhe me kombëtaren, dua t'i bëj njerëzit krenarë. Nuk dua të kem asnjë pendesë në fund të karrierës sime", përfundoi ylli senegalez. /Telegrafi/


