Please enter at least 3 characters.

Ylli i ri i Marokut ndez afatin kalimtar, Barcelona sfidon gjigantët për nënshkrimin e tij

Barcelona po vazhdon të monitorojë nga afër talentet e reja për të forcuar skuadrën në të ardhmen, ndërsa emri më i fundit në radarët e klubit katalanas është mesfushori i Lille, Ayyoub Bouaddi.

Drejtuesit sportivë të klubit, të udhëhequr nga Deco, po punojnë për të afruar futbollistë të rinj që mund të sjellin ekuilibër, inteligjencë taktike dhe cilësi në mesfushën e ekipit për sezonet e ardhshme.

Megjithatë, Barcelona është e vetëdijshme se transferimi i 18-vjeçarit nuk do të jetë i lehtë, pasi për të interesohen edhe disa nga klubet më të mëdha të Evropës.

Aktualisht, Arsenali dhe Paris Saint-Germain konsiderohen favoritë në garën për talentin franko-maroken, ndërsa interesim kanë shfaqur edhe Liverpooli, Manchester City, Chelsea, Manchester United, Bayern Munich dhe Real Madridi.

Bouaddi ka tërhequr vëmendjen jo vetëm për paraqitjet e tij në fushë, por edhe për aftësitë e tij intelektuale.

Ai njihet si një futbollist me mendim analitik dhe aftësi të jashtëzakonshme për të lexuar lojën, duke kontrolluar hapësirat dhe ritmin e ndeshjes me pjekuri të rrallë për moshën e tij.

I lindur në Francë dhe me origjinë marokene, ai debutoi në futbollin profesionist në moshën 16-vjeçare dhe që atëherë është shndërruar në një nga talentet më premtues të futbollit evropian.

Sa i përket transferimit, Lille nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtë nga ylli i saj. Klubi francez raportohet se kërkon mes 70 dhe 80 milionë euro për kartonin e mesfushorit, i cili ka kontratë të vlefshme edhe për tri sezone të tjera.

Arsenali thuhet se ka paraqitur një ofertë prej 60 milionë eurosh, por ajo është refuzuar nga drejtuesit e Lille.

Në të kaluarën, vetë lojtari kishte refuzuar mundësinë për t’iu bashkuar PSG-së, duke preferuar një ambient ku do të kishte më shumë hapësira për zhvillim dhe minuta në fushë.

Pas një sezoni shumë të mirë me 30 paraqitje në kampionatin francez, Bouaddi po pret me kujdes hapin e radhës në karrierë.

Sipas vlerësimeve të tregut, vlera e tij aktuale është rreth 50 milionë euro, por konkurrenca e madhe mes klubeve të interesuara mund ta rrisë ndjeshëm çmimin e tij gjatë kësaj vere. /Telegrafi/