Ylli i repit Rob Base ndërron jetë në moshën 59-vjeçare pas betejës me kancerin
Rob Base, i njohur për hitin ikonik të hip-hopit “It Takes Two”, ka ndërruar jetë në moshën 59-vjeçare pas një beteje private me kancerin.
Lajmi u konfirmua nga familjarët përmes një postimi në rrjetet sociale.
Reperi amerikan, emri i vërtetë i të cilit ishte Robert Ginyard, u bë i famshëm në fund të viteve të 80-ta së bashku me partnerin e tij muzikor DJ EZ Rock, shkruan BBC.
Kënga e tyre “It Takes Two” u kthye në një nga himnet më të njohura të hip-hopit dhe pati sukses të madh edhe në listat pop dhe klubet muzikore.
Hiti i famshëm u përdor ndër vite në filma, videolojëra dhe u përpunua nga artistë të njohur si Snoop Dogg dhe Black Eyed Peas.
Pas lajmit për vdekjen e tij, figura të njohura të muzikës dhe sportit publikuan mesazhe prekëse në nder të artistit. /Telegrafi/


