Please enter at least 3 characters.

Ylli i Real Madridit i jep fund spekulimeve, gati të rinovojë kontratën

E ardhmja e Aurelien Tchouameni te Real Madridi duket se është vendosur përfundimisht.

Mes spekulimeve për largimin e tij dhe interesimit të Manchester Unitedit, mesfushori francez ka marrë një vendim të rëndësishëm që do ta mbajë të lidhur me klubin madrilen edhe për shumë vite.

Sipas raportimit të Marca, 26-vjeçari ka vendosur të vazhdojë karrierën në Real Madrid, duke arritur marrëveshje për zgjatjen e kontratës së tij.

Edhe pse marrëveshja aktuale skadon në vitin 2028, palët kanë rënë dakord që ajo të zgjatet edhe për tre vite të tjera, deri në verën e vitit 2031.

Tchouameni vinte pas një sezoni me ulje-ngritje në aspektin kolektiv për Real Madridin, por në planin individual ai mbeti një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës. Mesfushori gjithashtu vazhdoi të ishte një element kyç edhe te kombëtarja e Francës.

Në javët e fundit kishte pasur shumë spekulime për të ardhmen e tij, sidomos pas incidentit me Federico Valverde dhe nisjes së një epoke të re te madrilenët nën drejtimin e Jose Mourinhos.

Megjithatë, sipas mediumit spanjoll, francezi nuk e ka vënë asnjëherë në dyshim dëshirën për të qëndruar në "Santiago Bernabeu".

Njoftimi zyrtar për rinovimin pritet të bëhet së shpejti, ndërsa kontrata e re do ta bëjë Tchouamenin një nga mesfushorët më të rëndësishëm të projektit të ri të Real Madridit.

Raporti shton se, me kontratën e re, francezi do të përfitojë një pagë prej 13 milionë eurosh në sezon, duke konfirmuar besimin e plotë që klubi ka ndaj tij.

Me këtë vendim, Real Madridi siguron vazhdimësinë e një prej shtyllave të mesfushës, ndërsa mbetet të shihet se cili do të jetë fati i lojtarëve të tjerë, e ardhmja e të cilëve vazhdon të jetë e paqartë. /Telegrafi/