Please enter at least 3 characters.

Ylli i Barcelonës i bën kërkesë klubit ta transferojë Marcus Rashfordin

Frenkie de Jong beson se Barcelona nuk duhet të hezitojë për ta bërë të përhershme qëndrimin e Marcus Rashfordit në “Camp Nou”, pas një sezoni të zhvilluar në formë huazimi.

Sulmuesi anglez u bashkua me blaugranët me marrëveshje të përkohshme, pasi kishte rënë nga planet te Manchester United, ndërsa sezonin e kaluar kishte kaluar gjashtë muaj si i huazuar te Aston Villa.

Megjithatë, Rashford duket i “rilindur” në Kataloni, duke regjistruar 14 gola dhe 11 asistime në të gjitha garat për skuadrën e Hansi Flickut.

Sa i përket përfshirjeve në gola (gol + asist), vetëm Lamine Yamal, Fermin Lopez dhe Raphinha kanë shifra më të larta se Rashford këtë sezon te Barcelona. Ai u bë gjithashtu protagonist me një goditje dënimi spektakolare në fitoren që praktikisht vulosi titullin në LaLiga ndaj rivalit të përjetshëm, Real Madridit, më herët këtë muaj.

Raportohet se Manchester United është i gatshëm ta shesë përfundimisht Rashfordin, ndërsa pas ndihmës që i dha Barcelonës për ta ruajtur titullin kampion, vetë lojtari ka shprehur dëshirën për të qëndruar.

De Jong shpreson për të njëjtin skenar, duke deklaruar për Sport ES:

“Po, besoj [se duhet të qëndrojë]. Në minutat që ka luajtur, na ka dhënë shumë: gola, asistime, thellësi”.

“Ai është lojtar i shpejtë që i kërcënon mbrojtjet kundërshtare. Do të isha i lumtur nëse do të vazhdonte me ne”.

“Ai erdhi këtu me shumë entuziazëm. Ishte shumë i lumtur që ishte këtu dhe që nga momenti i parë kur mbërriti, mund ta shihje se donte të qëndronte”.

“Ka provuar të përshtatet sa më mirë që ka mundur dhe e kam parë të bëjë mirë”.

Ndërkohë, 25 përfshirjet në gola këtë sezon janë më shumë sesa Rashford kishte arritur në secilin nga dy sezonet e fundit: 13 me United në 2023/24, si dhe 19 në 2024/25./Telegrafi/