VV: “Pasarela e Turpit”, Thaçi me kabinetin qeveritar (video)
Aktivistja Puhie Demaku gjatë këtij aksioni tha “Bulevardi Hollywood është i mbushur përplot yje që shënjojnë emrat e më të arriturve në skenën e filmit. “Walk of Fame” apo “Pasarela e Famës” është mishërim i të arriturave. Të frymëzuar nga Walk of Fame, Lëvizja Vetëvendpsje sot ka shndërruar bulevardin më të famshëm në Kosovë, në Walk of Shame – Pasarela e Turpit, meqë udhëheqësit e kësaj Qeverie janë mishërim i turpit të këtij vendi, të këtij populli dhe kësaj shoqërie. Ata po e plaçkitin shtetin dhe popullin duke u thirrur në emër të kombit e në emër të sovranitetit, pikërisht, duke përbuzur popullin dhe duke përmbysur edhe atë pak sovranitet që e gëzojmë”.
“Kosovës po i vidhet territori përmes dialogut me Serbinë. Kosovës po i vidhet buxheti përmes korrupsionit. Kosovës po i vidhen asestet përmes privatizimit”, vlerësoi Demaku.
Ajo më tej theksoi se në vend të njohjeve ndërkombëtare, Kosovës po i shtohet numri i njollave ndërkombëtare, ndërsa Kosova vazhdon të jetë vendi më i izoluar në Evropë, me shkallën më të lartë të papunësisë, me shkallën më të lartë të varfërisë dhe me shkallën më të lartë të korrupsionit. /Telegrafi/


