VV çon në Gjykatë Supreme vendimin e PZAP-së për Listën Serbe
Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, kanë dorëzuar ankesë në Gjykatë Supreme lidhur me vendimin e PZAP-së për certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale 2025.
Ankesa është dorëzuar më 26 gusht 2025, ndërsa përfshin argumentimin ligjor pse Kurteshi dhe Krasniqi kanë votuar kundër certifikimit të këtij subjekti politik.
Në dokumentin që ka siguruar Telegrafi thuhet se anëtarët e KQZ-së kanë të drejtë ekskluzive për të votuar për çështje që lidhen me procesin zgjedhor, përfshirë edhe çështjen e certifikimit të subjekteve politike.
“Bazuar në nenin 63 par. 1, 3, 4 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, anëtarët e KQZ-së kanë të drejtën ekskluzive ligjore të votojnë për çështje që lidhen me procesin zgjedhor,” thuhet në ankesën e dorëzuar në Gjykatë.
Kurteshi dhe Krasniqi argumentojnë se kanë vepruar në përputhje me ligjin, konkretisht me nenin 17 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme (LZP), i cili ua jep diskrecionin e plotë anëtarëve të KQZ-së për të miratuar apo refuzuar certifikimin e një subjekti politik.
“Anëtarët e KQZ-së kanë zbatuar nenet përkatëse të cilat i japin diskrecion të plotë lidhur me votimin për apo kundër një certifikimi të një subjekti politik,” thuhet më tej në dokument.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka marrë vendim në favor të subjektit politik Lista Serbe, duke aprovuar ankesën e këtij subjekti kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për moscertifikimin e listës së kandidatëve të saj për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.
Me këtë vendim, PZAP e ka anuluar vendimin e KQZ-së të datës 21 gusht, në të cilin KQZ kishte refuzuar certifikimin e kandidatëve të Listës Serbe për shkak të vlerësimit se disa kandidatë nuk i përmbushnin kriteret ligjore për të qenë pjesë e garës zgjedhore.
Sipas arsyetimit të PZAP, vendimi i KQZ-së nuk ka qenë i bazuar në mënyrë të duhur në ligj dhe nuk është dëshmuar bindshëm që kandidatët në fjalë janë në kundërshtim me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili përcakton kriteret për të drejtën për t’u zgjedhur. /Telegrafi/


