Vozinha u bë sensacion në Botëror, por klubi i ri ia ndalon emrin në fanellë
Vozinha, portieri 40-vjeçar që fitoi shumë vlerësime me paraqitjet e tij në Kupën e Botës me Kepin e Gjelbër, nuk do të lejohet ta përdorë pseudonimin e tij në fanellën e klubit të ri, Colo-Colo.
Ka qenë një verë e paharrueshme për portierin veteran, i cili u shndërrua në një sensacion gjatë këtij Botërori.
Pas një paraqitjeje të jashtëzakonshme ndaj Spanjës, kampiones së ardhshme të botës, në fazën e grupeve, relativisht i panjohuri Vozinha kaloi nga 50 mijë ndjekës në Instagram në mbi 1 milion brenda vetëm 24 orëve.
Pas këtij Botërori mbresëlënës, portieri 40-vjeçar është lidhur me një transferim te Colo-Colo, vetëm disa muaj pasi u largua nga skuadra portugeze Chaves, ku sezonin e kaluar zhvilloi vetëm 19 paraqitje në të gjitha garat.
Colo-Colo, i konsideruar gjerësisht si klubi më i suksesshëm në futbollin kilian, tashmë i ka ofruar kontratë Vozinhas, sipas presidentit të klubit, Anibal Mosa.
Mosa iu referua portierit me pseudonimin e tij, ndërsa emri i vërtetë i tij është Josimar Jose Evora Dias, por duket se ai nuk do të lejohet ta përdorë emrin “Vozinha” në pjesën e pasme të fanellës.
Kjo për shkak se Primera Division e Kilit nuk lejon përdorimin e pseudonimeve në fanella. Sipas një raportimi të The Sun, çdo lojtar që përdor një pseudonim do të ndëshkohej automatikisht me karton të verdhë dhe gjobë.
Në vend të kësaj, lojtarët duhet të përdorin një ose të dy mbiemrat e tyre. Kështu, portieri i Kepit të Gjelbër pritet të ketë në fanellën e Colo-Colos njërin prej emrave: “Evora”, “Dias” ose “Evora Dias”.
Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse ky rregull do t’i ndalojë tifozët që të blejnë fanellën e tij me emrin tashmë të famshëm “Vozinha”./Telegrafi/


