Please enter at least 3 characters.

Voton Albin Kurti, fton qytetarët të dalin në votime

Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ka ushtruar sot të drejtën e tij të votës në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë, në kuadër të zgjedhjeve për legjislaturën e 10-të të Kuvendit të Kosovës.

Pas votimit, Kurti theksoi rëndësinë e kësaj dite për vendin dhe u bëri thirrje qytetarëve që të dalin dhe ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike.

“Porsa votova këtu në Fakultetin Ekonomik për legjislaturën e 10-të të Kosovës. Sot është një ditë e bukur dhe e rëndësishme, andaj ftoj qytetarët që ta ushtrojnë të drejtën e tyre për përbërjen e Kuvendit të ardhshëm", u shpreh Kurti.

Ai gjithashtu shprehu shpresën që institucionet e reja të formohen sa më shpejt.

“Uroj dhe besoj që të punojmë që legjislatura e 10-të ta konstituojë sa më shpejt Kuvendin e ardhshëm dhe njëkohësisht të formojë qeverinë e re", tha ai.

Kurti falënderoi qytetarët për angazhimin gjatë fushatës zgjedhore dhe shprehu pritshmëri për një pjesëmarrje të lartë në votime. “Falënderoj qytetarët për pjesëmarrjen në fushatë dhe shpresoj në pjesëmarrje masive”, tha Kurti.

Kurti po ashtu u pyet nëse do të jetë i hapur për koalicione, por siç tha "shansa për koalicione iku pa fajin tonë".

“Kam ofruar koalicion në majin dhe prillin e këtij dhe jemi këtu në zgjedhjet e parakohshme pikërisht pse u refuzua koalicioni, ndaj do të duhet të kemi rezultat të qartë kësaj radhe meqenëse shansa për koalicione iku pa fajin tonë”, tha ndër të tjera ai. /Telegrafi/