Votat e diasporës ndryshojnë renditjen e partive në Istog dhe Junik, LVV-ja del forcë e parë
Numërimi i votave të diasporës, përveçse ka ndikuar në shpërndarjen e mandateve mes subjekteve politike, ka sjellë ndryshime edhe në renditjen e partive në disa komuna të Kosovës.
Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje kishte dalë forcë e parë në pjesën dërrmuese të komunave, por në disa komuna të Rrafshit të Dukagjinit epërsinë e mbanin subjekte të tjera politike.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kishte dalë e para në Istog, ndërsa Aleanca printe në Junik.
Megjithatë, votat e ardhura nga diaspora kanë ndryshuar këtë panoramë.
Në Istog, Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka kaluar në vendin e parë. Edhe pse kanë mbetur pa u numëruar edhe tri kuti të votave nga diaspora që i përkasin kësaj komune, LVV-ja kryeson ndaj LDK-së me 109 vota, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e treta.
Ndërkohë, në Junik, ku ka mbetur për t’u numëruar edhe një kuti e diasporës, LVV-ja ka kaluar AAK-në dhe aktualisht kryeson me 40 vota diferencë.
Në vendin e tretë renditet LDK-ja, vetëm pesë vota pas Aleancës.
Me këto ndryshime, LDK-ja nuk mban më pozitën e forcës së parë në asnjë komunë të Kosovës, ndërsa AAK-ja vazhdon të ruajë primatin në Deçan.
Edhe pas përfshirjes së votave të diasporës, PDK-ja mbetet forca kryesore në Skenderaj, Drenas dhe Malishevë./Telegrafi/


