Votaliteti medial
Është shumë e natyrshme që gjatë fushatës zgjedhore, mediumet tona elektronike dhe të shtypit të jenë të mbushura me debate të natyrës politike, ekonomike dhe sociale. Kosova është përcaktuar për ndërtimin e një shteti demokratik andaj debati është element konstitutivë i demokracisë. Mediumet tona në veçanti mediumet elektronike do të duhej të ofronin debate të mirëfillta dhe konstruktive, ku në vëmendje janë problemet e qytetarëve. Në fund të fundit zgjedhjet në Kosovë janë e vetmja mundësi ku qytetari shfrytëzon të drejtën e tij sovrane për zgjedhjen e përfaqësuesve të tij në nivelin lokal. Organizimi i emisioneve, debateve dhe ballafaqimeve të kandidateve në të njëjtën kohë do ti ishin shumë frytdhënëse në identifikimin e kandidatit të preferuar.
Mediumet elektronike do të duhej të ishin të paanshme, korrekte dhe drejt informuese ngase favorizimi i një partie/individi do ti vej në lajthitje qytetarët. Votaliteti medial, term ky që përdoret për të treguar influencën e mediave në ndërtimin e përcepcioneve të qytetarëve lidhur me votën e tyre është i padiskutueshëm. Sloganet e shumta politike dhe videklipet që transmetohen në televizionet tona imponojnë vullnetin e tyre tek qytetarët e vendit. Kjo është strategji zgjedhore që mundohet të “shpërlaj trurin e qytetarëve”. Në realitet qytetari i Kosovës duke qenë dëshmitar i organizimit të zgjedhjeve të mëparshme është lodhur duke dëgjuar premtime boshe dhe pa pikë interesit.
Zhvillimi ekonomik, zhdukja e varfërisë, Integrimet Ekonomik janë premtime që qytetarët tanimë i kanë dëgjuar. Qytetari është shumë i interesuar për të dëgjuar ofertën e partive lidhur më atë se si do ti materializojnë në praktik premtimet e tyre. Qytetarit i duhet të dijë se si do të ndryshoj jeta e tyre gjatë katër viteve të qeverisjes së partive politike, si do të rritet zhvillimi ekonomik, cilat janë hapat të cilat do të ndërmerren nga qeverisja lokale për të ofruar punësim, shërbime efikase dhe në fund të fundit se si do të ndryshoj mirëqenia e tyre.
Mediumet tona do të duhej të ofronin një mundësi reale për të shpalosur ofertat e partive politike. Mediumet janë mekanizëm përmes së cilës qytetari informohet dhe vendos për verdiktin e tij. Për këtë arsye mediat në Kosovë do të duhej të pasqyronin drejt gjithë aktivitetin e partive politike, të respektojnë detyrimet ligjore për raportim të balancuar dhe gjithmonë duke respektuar standardet e gazetarisë profesionale. Tek e fundit zgjedhjet lokale në Kosovë janë sfide edhe për vete mediumet të cilat edhe ashtu personifikohen më partitë politike ose bartësit e partive politike.


