Please enter at least 3 characters.

Volkswagen në udhëkryq, aksionari kryesor kërkon ndryshime urgjente

Aksionari më i madh i Volkswagen, Porsche SE, i ka bërë thirrje kompanisë gjermane të ndërmarrë masa të menjëhershme për t’iu përgjigjur konkurrencës në rritje nga prodhuesit kinezë të automjeteve.

Porsche dhe familjet Piëch kontrollojnë Volkswagen përmes Porsche SE, e cila zotëron rreth 31.9% të aksioneve të kompanisë.

Hans Dieter Pötsch, kryetar i Porsche SE, tha se Volkswagen ndodhet në një “pikë kthese historike” dhe se vendimet e marra tani do të përcaktojnë të ardhmen e kompanisë.

Ai kërkoi që vendimet të merren sa më shpejt, duke paralajmëruar se vonesat mund ta përkeqësojnë situatën.

Ndër masat e kërkuara janë ulja e kapaciteteve të tepërta, përshpejtimi i proceseve të vendimmarrjes dhe shkurtimi i ndjeshëm i kostove.

Volkswagen tashmë po shqyrton mundësinë e shkurtimit të deri në 100 mijë vende pune, në një përpjekje për të përmirësuar fitimet dhe produktivitetin.

Kriza vjen në një kohë kur prodhuesit kinezë, veçanërisht në segmentin e automjeteve elektrike, po fitojnë me shpejtësi terren.

Kompanitë si BYD, Geely dhe SAIC po ushtrojnë presion mbi Volkswagen jo vetëm në Kinë, por edhe në Evropë, Amerikën Latine dhe Afrikë.

Porsche SE paralajmëron se Volkswagen duhet të vendosë konkurrueshmërinë në qendër të strategjisë së saj, duke shqyrtuar të gjitha opsionet për uljen e kostove dhe rritjen e efikasitetit të fabrikave.

Nëse këto masa zbatohen, Volkswagen mund të përballet me një nga ristrukturimet më të mëdha në historinë e saj 89-vjeçare.