Veturat elektrike u sjellin shoferëve një kursim prej 76 eurosh në muaj
Që nga fillimi i luftës në Iran, është vërejtur një rritje e re e çmimeve të karburanteve në mbarë botën. Kjo situatë po u shkon në favor shoferëve të veturave elektrike. Sa realisht kursejnë ata në krahasim me shoferët e tjerë, e tregon analiza e organizatës Transport & Environment.
Rritja e çmimeve të karburanteve në muajt e fundit ka rihapur debatin për kostot reale të drejtimit të makinave me benzinë, naftë dhe energji elektrike.
Sipas analizës së re të organizatës Transport & Environment, shoferët e veturave elektrike në Gjermani aktualisht shpenzojnë dukshëm më pak për energji sesa pronarët e automjeteve me motorë me djegie të brendshme, ndërsa kriza energjetike po e rrit edhe më shumë këtë diferencë.
T&E thekson se shoferët e makinave me benzinë në Gjermani janë deri në tetë herë më të goditur nga rritja e çmimeve të energjisë sesa pronarët e veturave elektrike, ndërsa shoferët e dizelit janë të goditur deri në 12 herë më shumë.
Në fillim të prillit, kur çmimet e karburanteve në Evropë arritën kulmin, kostoja mesatare e drejtimit me një veture benzine në Gjermani ishte 15,90 euro për 100 kilometra, krahasuar me 12,30 euro gjatë vitit 2025. Tek makinat me naftë, kostoja u rrit nga 11,10 në 16,80 euro për 100 kilometra.
Nga ana tjetër, kostoja mesatare e karikimit të një makine elektrike në shtëpi u rrit vetëm nga 7,80 në 8,20 euro për 100 kilometra të përshkuara.
Sipas vlerësimeve të T&E, shoferët e veturave elektrike aktualisht shpenzojnë mesatarisht rreth 82 euro në muaj për karikimin e baterive, ndërsa shoferët e makinave me benzinë shpenzojnë rreth 159 euro për karburant. Kjo do të thotë se pronarët e veturave elektrike kursejnë rreth 76 euro në muaj krahasuar me benzinarët. Në krahasim me dizelin, diferenca rritet në rreth 86 euro në muaj.
Diferenca edhe më të mëdha vërehen te automjetet zyrtare dhe flotat që përshkojnë kilometra të mëdha. Sipas analizës, veturat elektrike të shërbimit kushtojnë mesatarisht rreth 190 euro në muaj, ndërsa automjetet me benzinë arrijnë rreth 365 euro në muaj.
Sipas vlerësimeve të T&E, automjetet me bateri në Gjermani gjatë 10 viteve të fundit kanë kursyer tashmë rreth 46 milionë fuçi nafte, që korrespondon me një vlerë prej rreth 3,5 miliardë euro. /Telegrafi/


