Please enter at least 3 characters.

Veteranët e UÇK-së presin përfitime qeveritare

2016/01/f.0319000012460_m.jpg

Më shumë se 59,000 vetë kanë bërë kërkesë për përfitime në lidhje me ushtrinë e mëparshme, e cila luftoi trupat serbe në 1998 dhe 1999. Më shumë se 52,000 janë veteranë, gati 4,200 kanë status të pretenduar invalidi dhe 2,600 kanë kërkuar status dëshmori për anëtarët e familjeve që u vranë gjatë luftës.

Një ligj i miratuar në vitin 2012 ngriti një proces për dhënien e pensioneve, shërbimeve shëndetësore, arsimore dhe përfitimet e punësimit për veteranët e luftës, invalidët dhe familjet e dëshmorëve. Sasia e saktë e ndihmës do të përcaktohet nga një ligj shoqërues që do të miratohet më pas këtë vit pasi qeveria të përfundojë procesin e verifikimit.

Një komision i udhëhequr nga Ministri i Forcave të Sigurisë të Kosovës, Agim Çeku ka autoritetin të verifikojë kërkesat e të vendosë statusin për secilin.

Aplikuesit paraqitën kartat e identifikimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe dokumente të tjera, që do të shqyrtohen nga komisioni dhe ish-komandantët e ushtrisë.

"Do të jetë një proces i vështirë, por shpresoj se brenda këtij viti veteranët do të nisin të marrin atë që me të vërtetë meritojnë", tha Çeku për SETimes, duke shtuar se procesi i verifikimit do të kërkojë disa muaj.

Bislim Hodaj po kërkon statusin e veteranit, por ka dyshime rreth përfundimit me sukses të procesit. Ai tha për SETimes se përcaktimi i statusit të veteranëve nuk duhet të jetë i vështirë sepse institucionet vendore e ndërkombëtare në Kosovë kanë të dhëna lidhur me numrin dhe identitetin e të gjithë ish-luftëtarëve të ushtrisë.

"Megjithatë, është një ndjenjë kënaqësie për faktin se në 13 vitet e kaluara nuk kishim pasur asnjë ndihmë, askush nuk mori në konsideratë kontributin tonë", tha Hodaj.

Hodaj tha se ka marrë pak informacion lidhur me përfitimet që veteranët mund të fitojnë mbështetur tek ligji, por pret ndihmë në shëndetësi dhe shërbimet publike e arsim dhe ndihmë punësimi për fëmijët e anëtarëve të ushtrisë.

Skepticizmi i tij është pjesërisht i mbështetur në gjendjen e vështirë ekonomike të Kosovës, që e bën më të vështirë për qeverinë të japë përfitime për veteranët.

"Është shumë e rëndësishme të përcaktohet numri i saktë i individëve të përfshirë në luftë. Është shumë e rëndësishme të njihet kontributi i këtyre njerëzve dhe vlerat e tyre", tha për SETimes Muharrem Xhemajli, kreu i shoqatës së Veteranëve dhe një anëtar i komisionit për statusin e veteranëve.

Ai tha se statusi i veteranëve duhej të ishte zgjidhur menjëherë pas luftës, por përparimi ishte ngadalësuar nga fakti se vendi ishte nën administratën e OKB-së për më shumë se tetë vjet.

"Por pesë vjet pasi Kosova shpalli pavarësinë duhej të ishte bërë më shumë për të respektuar vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës," tha Xhemajlii.

Enver Fejza, i cili shërbeu në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, një organizatë emergjence e ngritur nga luftëtarët e ushtrisë pas çmilitarizimit, tha se vonesa është më e pakënaqshme për të tjerët sesa për të.

"Kjo është zhgënjyese për disa më shumë se për ish-anëtarë të tjerë [të ushtrisë] që janë ose të vjetër ose nuk mund të gjejnë punë", tha Fejza. /Telegrafi/