Veriu i mbushur me armë e uniforma serbe, Baliqi: Ka kaluar në dukuri
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka zbuluar dhe sekuestruar një sasi të konsiderueshme armatimi në dy raste të ndara në zonën e Zubin Potokut, gjatë patrullimeve të realizuara më 18 prill 2026.
Sipas Policisë, rasti i parë është regjistruar rreth orës 13:10, në fshatin Luka Reka, në lokacionin Paljevë, ku njësitë policore gjatë kontrollit në një shtëpi të pabanuar kanë gjetur një armë gjysmë automatike me bajonetë, fishekë të kalibrave të ndryshëm, uniforma, si dhe një logo të shtetit serb.
Lidhur me këto raste ka folur Shefi i Planifikimit të Operativës Rajonale në Mitrovicë, Erduan Baliqi.
Ai tha se fenomeni i gjetjes së armatimit në “shtëpi të braktisura” në veri është kthyer në një dukuri.
“Është bërë dukuri. Ka kaluar në dukuri që ne të hasim në armatim në shtëpi të braktisura, mirëpo janë në proces të hetimit”, u shpreh Baliqi në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova.
Ai shtoi se të gjitha rastet po trajtohen nga Policia e Kosovës, ndërsa theksoi se hetimet janë në vazhdim për të sqaruar prejardhjen e armatimit dhe personat e përfshirë.
Baliqi tregoi po ashtu se gjatë bastisjeve dhe kontrolleve të fundit, janë gjetur lloje të ndryshme armësh dhe pajisjesh, të cilat tashmë janë sekuestruar si prova materiale./Telegrafi.


