Please enter at least 3 characters.

Vendi i vogël me halle të mëdha...

Askush s’besoj që e ka paramenduar një Kosovë ku edhe pas 11 vitesh të ballafaqohet me një mal hallesh e problemesh, madje halle e probleme nga më banalet e deri te ato të zakonshmet...! Aq më keq kur e kemi parasysh se jemi një vend i vogël si me territor ashtu dhe me popullatë. Cilat janë ato halle të cilat e kanë ngulfatur në fyt vendin tonë?

Po nisemi nga veriu i trazuar (jo rrallë), problemet enorme socio-ekonomike (gati çdo javë vetëvrasje..); problemet me rrymë, ujë, infrastrukturë; problemet me targa të paraluftës (PR, KM, PE, GL, PZ, UR...), të cilat lirshëm lëvizin (nga 5% i popullatës) nëpër çdo qosh të vendit e në anën tjetër me targa KS s'guxojmë të dalim (92% i popullatës) në veriun e vendit ku qeveritarët tanë çdo ditë përsërisin refrenin e njëjtë “të sovranitetit të Kosovës”;...; problemi i kontrabandës dhe trafikimit të ndryshëm; problemi i korrupsionit - fenomen ky “i pandalshëm”; problemet me shëndetësinë e cila i ngjason shekullit të kaluar (edhe përkundër donacioneve të shumta, por të keqpërdorura...); problemet me privatizimin e egër të ndërmarrjeve dhe ish fabrikave (privatizim total jo transparent); dhe shumë e shumë hallesh e problemesh të cilat ia kanë humbur orientimin (edhe ashtu të pa qartë) popullatës e cila në një far mënyre shpresën e vetme e ka te integrimi i vendit në strukturat evropiane, ku siç dihet Bashkimi Evropian nuk ia hapë dyert askujt “nëse ai shtet s’i kryen detyrat e shtëpisë”.

Të kota janë këshillat e ministrave të vendeve të ndryshme Perëndimore të cilët vizitojnë shpesh vendin tonë e të cilët na këshillojnë se duhet t’i kryejmë detyrat shtëpiake nëse duam t’i bashkohemi integrimeve euro-atlantike, këshilla këto të cilat po hasin në vesh të shurdhër të “kryegazdallarëve” te vendit, ku në një far mënyre bën të dyshojmë se ndoshta edhe nuk iu konvenon një integrim i shpejtë në Evropë sepse shumë prej tyre nuk do të mund të silleshin si gangsterë qysh po sillen tani e 11 vite...

Nëse analizojmë dhe merremi me këta “gazdallarë” se çfarë pasurie kanë dhe si erdhën tek kjo pasuri “e ndershme e tyre”, vijmë në përfundim se një pjesë të madhe të fajit e kemi edhe ne si popull i këtij vendi ku sillemi si “spektatorë në stadium” të një ndeshje jo fer dhe jo korrekte pa kartona të verdhë, lëre më të kuq, e ku arbitrit e kësaj “ndeshje” janë “qorra e shurdhmemeca” apo edhe janë “ndeshjet e kurdisura”. Prandaj nuk e besoj që ia vlen të shikohen këto lloj “ndeshjesh’ kur (s')dimë me çfarë rezultati do të përfundojnë dhe kur do të përfundojnë. Absurditet se jo mahi. Dhe në fund do ta përmbyllsha opinionin me një fjalë të urtë: “i gjori i ligu sa i fortë është”, fjalë kjo e urtë e dedikuar njerëzve shumicë të vendit të cilët janë stërlodhur nga hallet e jetës.