Vëllezërit që e financonin Qeverinë e Vlorës
Bektash bej Cakrani si edhe vëllai i tij Hajredin bej Cakrani, ishin dy personazhe me peshë specifike në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe në mëkëmbjen e shtetit të brishtë shqiptar, duke ofruar pa kursim jo vetëm angazhimin e tyre patriotik, por edhe pasurinë familjare.
Në qeverinë e Vlorës, Bektash bej Cakrani ishte emëruar si ministër i Thesarit. Në një kohë kur nuk kishte asnjë burim financiar, ai e paguante Qeverinë e Vlorës me të ardhurat e familjes, përgjatë gjithë vitit 1913. Ai i financonte të gjithë shpenzimet që do t’i duheshin turit diplomatik të Ismail Qemalit, kur ai udhëtonte drejt Londrës së bashku me Luigj Gurakuqin, Isa Boletinin dhe të tjerë anëtarë të delegacionit shqiptar, për të siguruar kufijtë e shtetit të sapokrijuar shqiptar.
Ky fakt del qartë në një letër (origjinali frëngjisht) që Bektash bej Bakrani ia shkruan vëllait të tij Hajredin bej Cakranit, duke i kërkuar me urgjencë t’i dërgojë në Vlorë para të mjaftueshme për 10 vetë, që do të qëndronin në Londër për 20 deri 25 ditë, ndërsa thekson se monedhat duhet të ishin lira floriri, pasi ato këmbeheshin atje.


