Vëllaznimi nuk i frikësohet Pejës
Trajneri i skuadrës së Vëllaznimit, Jeton Nixha, thotë se nuk janë shumë të përgatitur ende për ndeshjet ndaj Pejës, apo Prishtinës. “Ne nuk jemi shumë të përgatitur ende për ndeshje me Pejën apo Prishtina, pasi momentalisht këto dy ekipe janë më të përgatitura dhe me kualitet më të mirë të lojtarëve”, u shpreh fillimisht Nixha, shkruan gazeta Arena.
Ndër të tjera ai thotë se do të mundohen që të befasojnë pejanët në këtë përballje. “Ne nuk do të dorëzohemi në këtë ndeshje dhe do të luftojmë deri në momentet e fundit, edhe pse Peja, mbete favorit në këtë ndeshje”, deklaroi ‘timonieri’ i Vëllaznimit.
Shaptahoviq respekton Vëllaznimin
Nga ana tjetër Peja, është duke kaluar në formë të shkëlqyer në tri ndeshjet e fundit duke arritur tri fitore radhazi. Organizatori i pejanëve, Samir Shaptahoviq, thotë se përkundër formës së mirë duhet pasur kujdes nga Vëllaznimi.
“Ata kanë një ekip shumë të mirë dhe janë duke treguar ndeshje jashtëzakonisht të mira në shtëpi andaj duhet të kemi kujdes në këtë takim”, theksoi Shaptahoviq. Por, fundori Shaptahoviq, thotë se synimi kryesor mbeten të kthehen me pikë të plota. “Ne kemi treguar formë shumë të mirë në këto ndeshje dhe synimi mbetet që të vazhdojmë serinë pozitive të fitoreve”, përfundoi Shaptahoviq. Peja në pesë ndeshje e zhvilluara deri më tani ka katër fitore dhe vetëm një humbje duke u renditur në pozitën e dytë.


